Helmi i bletëve shkatërron qelizat e kancerit të gjirit

SIDNEJ, 6 shtator /ATSH-ANSA/ – Bletët zbulojnë edhe një dhuratë tjetër të madhe për njerëzimin, pasi helmi i tyre i frikshëm mund të shkatërrojë qelizat e kancerit të gjirit, sipas një studimi të kryer nga instituti i kërkimeve mjekësore ”Harry Perkins” në Australi dhe botuar në revistën ”Nature Precision Oncology”.

Shkencëtarët australianë kanë zbuluar se përbërësi kryesor i helmit, i quajtur melittin, mund të shkatërrojë shpejt qelizat kancerogjene agresive dhe të vështira për t’u trajtuar.

Studimi gjithashtu zbuloi se kur melittin kombinohet me ilaçet ekzistuese të kimioterapisë, të tilla si doketakseli, është treguar të jetë shumë efikase në uljen e zhvillimit të kancerit.

Studimi tregoi se një përqendrim specifik i helmit vrau 100% të tumoreve të gjirit dhe qelizave kancerogjene brenda 60 minutash, ndërsa kishte efekte minimale në qelizat normale.

Udhëheqësja e hulumtimit Ciara Duffy beson se zbulimi mund të çojë në zhvillimin e një trajtimi për kanceret e gjirit për të cilat nuk ekzistojnë ende terapi të synuara klinikisht efektive.

“Kemi zbuluar se helmi i bletës së mjaltit është jashtëzakonisht i efektshëm në shkatërrimin e disa prej qelizave më agresive të kancerit të gjirit, në përqendrime që nuk janë të dëmshme për qelizat normale”, shkruan ajo./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.