RIO DE JANEIRO, 29 gusht /ATSH-AFP/ – I mbyllur pesë muaj më parë për shkak të epidemisë së COVID-19, ishulli parajsë i Fernando de Noronha-s, në brigjet e Brazilit, ka vendosur, si masë sigurie, të lejojë në territorin e tij vetëm turistë që tashmë janë infektuar me koronavirusin e ri.
“Në fillim, vetëm turistët që kanë patur COVID-19 do të lejohen të zbresin”, njoftuan në Instagram autoritetet e ishullit, duke theksuar se masa synon të garantojë mbrojtjen e të gjithëve.
I njohur për plazhet e tij të virgjëra dhe hotelet luksoze, ky ishull vullkanik me 3 000 banorë është shumë i njohur për turistët brazilianë, por edhe të huaj.
Vizitorët, të cilët zakonisht duhet të paguajnë vetëm një taksë për ruajtjen e mjedisit pas mbërritjes, nga 1 shtatori duhet të paraqesin rezultatet e testeve që vërtetojnë se ata kanë qenë të infektuar me sëmundjen në të kaluarën./ /ervo/






















