Shembja e gjimnazit “Sami Frashëri”/ Duma: Fshihet një aferë e pastër korruptive

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma ishte sot në gjimnazin “Sami Frashëri”, i cili është shembur për tu rindërtuar pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit.

Duma e cilësoi shembjen e këtij gjimnazi si një nga rastet më të jashtëzakonshme të aferave të korrupsionit.

“Një tender prej 10 milionësh nga bashkia e Tiranës u nis dhe u anulua pa asnjë lloj transparence. Është ngritur fondi dhe është bërë 30 milionë dhe nga ana tjetër nuk dihet nëse godinat ose numri i objekteve është rritur madje dihet që nuk ka rritje”, tha ajo.

“Pa dyshim kjo është një aferë abuzive, dhe kjo nuk është një çështje tërmeti, këtu është tërmeti i tenderave të shkollave të Tiranës dhe i bashkisë së Tiranës”, tha Duma.

Sot, u shpreh Duma, “shëndeti i nxënësve dhe edukimi i tyre paralelisht janë prioritetet më të mëdha për të cilat ne diskutojmë dhe ngremë shqetësimin e madh për të ngritur përgjegjshmërinë”.

“Duhet të jemi të qartë për një gjë. Nxënësit, fëmijët tanë, fëmijët e shqiptarëve nuk janë eksperiment. Nuk mund të nisim një vit shkollor i cili ka tre alternativa, me tre skenarë sikur janë seriale dhe këto skenarë i lihen në përgjegjësi shkollave pa asnjë buxhet financiar ndihmës, ku dihet se në kohën e pandemisë duhet të ketë një buxhet që të ndihmojë në përballimin e pandemisë dhe kushteve të tjera që është shëndeti i fëmijëve”, tha Duma.

“Shteti është për të bërë planifikimin, për të bërë strategjinë dhe për të ruajtur shëndetin, jetën dhe pastaj të sigurojë shërbimin e edukimit për të cilën shqiptarët paguajnë”, përfundoi Duma.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.