TEL AVIV, 10 gusht /ATSH-DPA/ – Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha sot se ishte i gatshëm t’i jepte qeverisë së tij unitetin me ish-rivalin Benny Gantz një tjetër shans për të shmangur zgjedhjet e katërta parlamentare në më pak se dy vjet.
Qeveria e unitetit është në prag të kolapsit, në mes të një zënkë për buxhetin e shtetit.
Netanyahu dhe Gantz, ministri i Mbrojtjes, brenda natës pranuan një propozim nga një ligjvënës i palës së tretë për të provuar dhe miratuar një projektligj që do t’u jepte atyre më shumë kohë për të aprovuar buxhetin.
Ligji izraelit përcakton se buxheti i shtetit duhet të kalohet brenda 100 ditëve nga betimi i një qeverie.
Projektligji, nëse miratohet nga Knesset (parlamenti) me 120 vende, do të sigurojë një zgjatje deri në nëntor duke lehtësuar kërcënimin e menjëhershëm të zgjedhjeve të parakohshme.
Netanyahu dhe Gantz gjithsesi janë në mosmarrëveshje.
Kreu i partisë së djathtë ”Likud” kërkon një buxhet për atë që ka mbetur nga viti 2020, ndërsa udhëheqësi i aleancës centriste ”Bardheblu” insiston në një projektbuxhet për vitin 2020 dhe një tjetër për 2021-in.
“Unë mendoj se duhet të bëjmë çdo përpjekje për të shmangur zgjedhjet”, tha Netanyahu.
Gantz gjithashtu foli kundër zgjedhjeve të parakohshme, duke thënë se kjo do të ishte e dëmshme për Izraelin./ a.jor.























