Ballina Ekonomi

PD: Të anulohet koncesioni për rrugën Milot-Fier

TIRANË, 7 gusht/ATSH/-Partia Demokratike reagoi sërish sot lidhur me investimin në aksin Milot-Fier.

Në një deklaratë për mediet, Ervin Minarolli, Sekretar për Burimet Njerëzore në PD tha se “ky është një koncesion që duhet të anulohet, pasi vjedh qytetarët. 1.2 miliardë euro është një shifër e fryrë, me qëllim që të rritet në mënyrë artificiale dhe abuzive fatura që do të paguajë secili nga qytetarët që do të udhëtojë në këtë rrugë”.

Ai tha se “nga Miloti në Fier janë 115 kilometra dhe sipas koncesionit korruptiv qytetari duhet të nxjerrë nga xhepi 17.4 euro, shifër kjo stratosferike”.

“Strategjia e rrugëve me pagesë, e miratuar në 2016-ën nga e njëjta qeveri, rekomandon vlerën maksimale prej 3.5 cent për km ose 3.5 Euro për 100 km. Pra, krahasuar edhe me dokumentet që vetë kanë miratuar, kostoja që duhet të paguajë qytetari për rrugën është thuajse dyfishuar. Me këtë koncesion qytetarit i duhet të nxjerrë nga xhepi 17.4 euro për të udhëtuar në të gjithë gjatësinë e autostradës, e cila është gjysëm e gatshme”,- tha Minarolli.

Sipas tij, “nga 115 kilometra, 62 prej tyre janë rrugë ekzistuese. Tani jemi në një segment të tillë që ka nevojë vetëm për rikonstruksion, për të rritur cilësinë e rrugës. Për ne, është e papranueshme që koncesioni ta trajtojë këtë si një rrugë që ecën në një gjurmë të re, duke fryrë koston dhe, bashkë me të, edhe faturën që paguan në fund qytetari”.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Homazh”/ Vedat Kokona, një nga personalitetet më kozmopolite të letrave shqipe
Artikulli tjetërParku arkeologjik i Apolonisë, një tjetër destinacion për t’u vizituar këtë verë