Ballina Flash

Meta dekreton 3 ligje

TIRANË, 3 gusht /ATSH/Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar sot 3 ligje.

Presidenti ka dekretuar ligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”.

Ky ndryshim i miratuar si propozim deputetësh, lehtëson procesin e legalizimit të ndërtimeve informale, duke e thjeshtëzuar dhe ndarë procesin nga verifikimet që kryhen nga Bashkia për vlerësimin dhe komunikimin e vlerës së detyrimit për taksën e ndikimit në infrastrukturë sipas sipërfaqes ndërtimore.

Presidenti ka dekretuar gjithashtu edhe ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes dypalëshe ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, për programin e zhvillimit rajonal në Shqipëri (faza 4, 2019-2023)”.

Konfederata Zviceriane mbetet një nga nxitësit e rëndësishëm për zhvillimin e ekuilibruar dhe të qëndrueshëm shoqëror e ekonomik të shtetasve shqiptarë, sipas politikave dhe praktikave të Bashkimit Europian. Kjo marrëveshje është një mbështetje e drejtpërdrejtë e institucioneve përgjegjëse për zhvillimin rajonal.

Po ashtu, një tjetër ligj i dekretuar sot me shpallje është ai “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak ndërmjet qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë”.

Kjo marrëveshje reflekton vullnetin e vazhdueshëm disavjeçar të Republikës së Turqisë për mbështetjen e marrëdhënieve të qëndrueshme me Republikën e Shqipërisë, përmes kontributeve të drejtpërdrejta për Forcat e Armatosura të vendit tonë.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, jepet kontribut financiar për blerjen e shërbimeve dhe mallrave për qëllime ushtarake, duke ndikuar në rritjen e mëtejshme të ndërveprueshmërisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. z.tosku/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBasha: Në shtator nisim fushatën elektorale
Artikulli tjetër110-vjeçarja nga Shkodra/ Shërbimi Social i siguron dyshekun spitalor për nevojat e personave që nuk ecin