Ballina Flash

FOTOGALERI/ Durrësi “pushtohet” nga turistët

TIRANË, 3 gusht/ATSH/- Qyteti i Durrësit është “pushtuar” nga turistët këtë fillim gushti. Bukuritë e qytetit bregdetar, duke nisur nga plazhi dhe duke vijuar me kulturën dhe historinë e një prej qyteteve më të lashta të vendit tonë, kanë tërhequr turistët të zgjedhin këtë qytet si destinacionin e tyre për të kaluar pushimet në këtë sezon jo të zakonshëm turistik për shkak të pandemisë.

Qendra e Durrësit falë investimit të kryer nga bashkia e Durrësit në kuadër të programit të “Rilindjes Urbane”, është gjithashtu një atraksion për turistët vendas e të huaj, që padyshim nuk i “rezistojnë” mundësisë për të shkrepur një foto apo për t’u ulur buzë shatërvanit për të kaluar disa minuta nën freskinë e mbrëmjes dhe tingujve magjik të ujit të shatërvanit, ndërsa mund të konsumohet edhe një ushqim i shpejtë.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ka sjell edhe disa foto nga një mbrëmje vere nga zemra e qytetit bregdetar të Durrësit.

Për të apasionuarit e plazhit, rëra e bollshme e bën plazhin e Durrësit jo vetëm shumë të dobishëm nga ana shëndetësore, por edhe një plazh të përshtatshëm për familjarët  që mund të pushojnë të qetë bashkë me fëmijët e tyre.

Për ata që duan një plazh jo masiv, në Durrës ka disa gjire të mrekullueshme.

Pjesa më tërheqëse e gjithë vijës bregdetare të Durrësit është plazhi i Currilave, me terren të thyer ranor e shkëmbor, i cili ofron për pushuesit natyrë të bukur, aromën e pishave të detit dhe ambiente intime, larg nga zhurma e plazheve të populluara.

Hotelet që shtrihen përgjatë bregut të detit janë të shumtë e me kushte shumë të mira, të cilat konkurrojnë pa frikë të gjitha standardet bashkëkohore të turizmit të sotëm. Kapaciteti i tyre mesatar është 30-100 dhoma, duke ofruar shërbime nga dy deri në pesë yje, të karakterizuar përgjithësisht nga teknologji e re, mobilim modern, për shkak të ndërtimit të tyre në dy dhjetë-vjeçarët e fundit.

Të gjitha llojet e gatimeve dhe kuzhinave mund t’i provoni në restorantet e zonës së Durrësit. Pa dyshim që mbi çdo gatim mbizotërojnë produktet e detit, por ju mund të provoni gjithashtu kuzhinën shqiptare me të gjitha specialitetet e saj.

Durrësi është një qendër e rëndësishme arkeologjike, një nga më të mëdhatë në Shqipëri, që e bën atë të jetë në qendër të vëmendjes së turistëve të huaj që vizitojnë vendin tonë.

Vendosja në qendër të vëmendjes si qytet i lashtë Ilir , i jep Durrësit mundësinë të jetë i vizitueshëm jo vetëm prej bregdetit gjatë sezonit veror, por gjatë të gjithë vitit si një qendër e pasur kulturore. Trashëgimia arkeologjike e qytetit e bën të natyrshme që çdo durrsak të ndjehet krenar për qytetin e tij.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOSLO – Norvegjia forcon rregullat për anijet turistike
Artikulli tjetërTIA konfirmon 31 fluturime për datën 4 gusht, apel pasagjerëve për respektimin e protokolleve antiCOVID