Gjeneralmajor Bajram Begaj merr detyrën, Xhaçka: Forcat e Armatosura shumë me moderne e më profesionale, kanë besimin e qytetarëve

TIRANË, 30 korrik /ATSH – I. Vata/ Ministria e Mbrojtjes organizoi sot ceremoninë e marrjes së detyrës nga shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Bajram Begaj.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka në fjalën e saj, falënderoi për kontributin ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral Kollçakun për punën e mirë dhe lidershipin që ka treguar.

Ajo tha se nuk ka qenë e lehtë sepse të drejtosh një organizatë kaq të madhe dhe të rëndësishme në një kohë trazicioni dhe reformash. “Nuk ka qenë e lehtë sepse viti i fundit ka qenë plotë me sfida të jashtëzakonshme duke filluar nga përballimi i tërmeteve gjatë vjeshtës që shkoi deri te përballimi i pandemisë që ende vazhdon”, u shpreh Xhaçka.

Xhaçka thekson se Forcat e Armatosura janë një forcë shumë me moderne e shumë më profesionale dhe sot janë forcat më të besuara nga qytetarët.

Xhaça prezantoi shefin e ri të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Bajram Begaj i cili është një nga ushtarakët më të përgatitur dhe me integritet të FA.

“Forcat e Armatosura sot janë një forcë që kontribuojnë krah për krah aleatëve ne misione të vështira dhe të rrezikshme, që kanë marrë edhe vlerësime të larta”, tha ajo.

Nga ana e tij, gjeneralibrigade Bardhyl Kollçaku pas 38 vitesh karrierë ushtarake theksoi se “puna në shërbim të Atdheut, angazhimi, sakrifica, kontributi në jetën ushtarake si kudo është një proces i vazhdueshëm që nuk mbaron asnjëherë”. “Një brez e kalon pishtarin te brezi tjetër”, tha ai.

Në fjalën e tij, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Bajram Begaj tha se ishte mirënjohës për besimin e Presidentit Meta, Kryeministrit Rama dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

“Akademia e Forcave tona të Armatosura është një histori suksesi që tregon se pavarësisht vështirësive dhe problematikave që mund të hasen nëse ka vullnet dëshirë dhe profesionalizëm rezultatet mund të arrihen. Transformimi i Akademisë Ushtarake dhe akreditimi institucional si i vetmi institucion i lartë i arsimit publik për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare do sjellë ndryshim rrënjësor në rrjedhën e arsimit profesional ushtarak dhe përgatitjen cilësore të ushtarakëve. Misioni i FA është ruajtja e paqes dhe sigurisë që tashmë e realizojmë si anëtarë të NATO-s, ku vendi ynë dhe Forcat e Armatosura po dëshmojnë se dinë të solidarë me aleancën, të mbajnë barrën e detyrimeve që u takon por dhe të kontribuojnë në sigurinë kolektive për paqen globale dhe rajonale”, u shpreh ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.