PRISHTINË, 17 qershor /ATSH/ Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka votuar rishikimin e buxhetit për vitin 2020.
Ministrja e Financave Hykmete Bajrami, derisa paraqiti rishikimin e buxhetit, tha se nuk kanë larguar asnjë projekt fillestar.
Ajo tha se alokimet për këto projekte janë zvogëluar për të mundësuar kursimin, dhe se kursimet e identifikuara do të kthehen në proceset e ardhshme buxhetore që, siç u shpreh ministrja, mjetet nuk do të humbin.
Bajrami tha se në vitin 2020 presin rënie ekonomike 3 për qind, ndërsa të hyrat totale do të jenë 1 miliard e 788 milionë euro.
Ministrja Bajrami tha se sa i përket të hyrave buxhetore presin rënie 5 për qind. Ajo tha se deficiti i buxhetit pritet të jetë 6.5 për qind e bruto produktit vendor.
Bajrami tha se me rishikimin e buxhetit do të mundësohet zhvillimi ekonomik gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm, derisa ka treguar lëvizjet që janë bërë nëpër ministri sa i përket buxhetit.
/KosovaPress/























