VJENË, 8 qershor /ATSH-DPA/ – Çmimi i naftës bruto amerikane u tregtua sot mbi 40 dollarë për fuçi, hera e parë që nga marsi, pasi prodhuesit e mëdhenj të naftës ranë dakord t’u përmbahen kufizimeve aktuale të prodhimit edhe për një muaj.
Ndërsa marka amerikane “West Texas Intermediate” shtoi rreth 2% për të arritur në 40,44 dollarë, nafta europiane “Brent” u rrit rreth 3% në 43,41 dollarë.
Organizata e vendeve eksportuese të naftës në Vjenë, OPEC dhe një grupi i vendeve të udhëhequra nga Rusia, OPEC +, vendosën të shtunën të ruanin uljen e prodhimit prej 9,7 milionë fuçish në ditë, deri në fund të korrikut.
Fillimisht ulja e prodhimit u vendos në prill.
Megjithatë, analistët thanë se tendenca aktuale e rritjes nuk do të jetë e qëndrueshme./ /sara/























