TIRANË, 7 qershor /ATSH/- Sportet e aventurës po zënë një vend të rëndësishëm në paketat turistike.
Një ndër këto sporte është dhe rafting, që po shërben edhe si nxitje për zhvillimin e një pjese tjetër të turizmit, atë kulturor.
Bashkia Memaliaj në bashkëpunim me institucionet e mjedisit, organizuan ditët e fundit rafting në rrjedhjen e poshtme të lumit Vjosë, duke përshkuar fshatrat Qesarat, Anëvjosë dhe Kalivaç të Bashkisë Memaliaj.
Krahas sportit të rafting, grupet e angazhuara në këtë aktivitet vrojtuan edhe shpendët që jetojnë në këtë luginë e cila dominohet nga një faun e larmishme.
Bashkia Memaliaj po punon për promovimin e sporteve të aventurës, duke sensibilizuar të apasionuarit e natyrës që të zgjedhin si destinacion turistik edhe bashkinë Memaliaj, për resurset e veçanta gjeografike që mundësojnë pushimit ndryshe, nga zonat bregdetare.
I njohur ndryshe edhe si “Qyteti i Minatorëve” për shkak të minierës së qymyrgurit, Memaliaj përbën potencial jo vetëm për zhvillimin e turizmit sportiv, por edhe atij natyror dhe historik.
Turet në minierën e qymyrgurit, si dhe atraksionet natyrore që të ofrojnë fshatrat e Njësive Administrative Luftinjë, Buz, Krahës, Memaliaj Fshat dhe Qesarat janë interesante si për turistët vendas edhe për ata të huaj.
Bashkia fton vizitorët të mos ngurojnë dhe ta vizitojnë Memaliaj këtë sezon veror.























