SHBA – George W. Bush: Heronjtë e Amerikës janë heronjtë e unitetit

UASHINGTON, 3 qershor /ATSH-AFP/ – Ish-presidenti George W. Bush i kërkoi sot Amerikës të shqyrtonte pa kompromis dështimet e saj tragjike duke përmendur padrejtësinë radikale që po dëmton shoqërinë amerikane.

“Ky mbetet një dështim tronditës që shumë afro-amerikanë, veçanërisht të rinj, ngacmohen dhe kërcënohen në vendin e tyre”, shkruan ish-presidenti (2001-2009) në një komunikatë për vdekjen e George Floyd, i asfiksuar nën gjurin e një polici të bardhë.

“Kjo tragjedi, që është pjesë e një serie të gjatë tragjedish të ngjashme, ngre një pyetje të pashmangshme: Si do t’i jepet fund racizmit të vazhdueshëm në shoqërinë tonë?”, pyet ai.

“Ka ardhur koha për Amerikën të shqyrtojë dështimet tona tragjike”, shtoi ai.

Vdekja e George Floyd, një javë më parë në Minneapolis ka indinjuar Amerikën dhe ka shkaktuar manifestime të shumta në mbarë vendin, që kanë degjeneruar dhe në përleshje.

Edhe pse nuk e përmend kurrë presidentin amerikan, Donald Trump, ish-presidenti republikan këmbëngul mbi nevojën për të dëgjuar zërat e atyre që vuajnë.

“Ata që përpiqen të kufizojnë këto zëra në heshtje nuk e kuptojnë domethënien e Amerikës”, shkruan ai.

“Heronjtë e Amerikës nga Frederick Douglass te Harriet Tubman, Abraham Lincoln apo Martin Luther King Jr – janë heronjtë e unitetit”, nënvizoi ai./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.