LONDËR, 26 maj /ATSH-AFP/ – Kryeministri britanik, Boris Johnson e gjykoi të mbyllur polemikën e shkaktuar nga shkelja e masave kufizuese të këshilltarit të tij, Dominic Cummings që përbën sipas policisë një shkelje të vogël, e pamjaftueshme për të ndërmarrë një ndjekje penale, theksoi sot Downing Street.
“Kryeministri theksoi se vlerëson se Cummings ka reaguar në mënyrë të përgjegjshme dhe ligjore duke dhënë rrethanat dhe e konsideron këtë çështje të mbyllur”, deklaroi një zëdhënës.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, i përfshirë në skandalin e shkaktuar nga shkelja e karantinës të këshilltarit kryesor, Dominic Cummings, u përball dje me një sondazh katastrofik për kampin e tij.
Në faqen e parë të gazetave që prej pesë ditësh, stuhia e shkaktuar nga Dominic Cummings, i konsideruar si truri i fushatës për referendumin e vitit 2016 që përfundoi me Brexit, ka rritur zemërimin e opinionit publik.
Një sondazh i “YouGov” për të përditshmen “The Times” tregon që mbështetja e publikut për Partinë Konservatore të Boris Johnson ka rënë me nëntë pikë në një javë duke arritur tashmë në 44%. Partia kryesore e opozitës, ajo Laburiste, ka fituar pesë pikë duke arritur në 38% për të njëjtën periudhë./ /ec/























