TIRANË, 20 maj /ATSH – I. Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi sot sërish ndaj çështjes së shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, duke thënë se u shemb kundër ligjit.
“Rama e shembi Teatrin Kombëtar me dhunë, kundër ligjit dhe me qëllimin e vetëm që në truallin e tij të ndërtojë kullat duke pastruar lekët e pista në mes të Tiranës”, u shpreh Basha.
Sipas tij, “ai tani përpiqet të fshehë vjedhjen e tij pas ëndrrës së shumë artistëve për një teatër të ri”.
“Kjo grabitje e dhunshme e pasurisë sonë kombëtare është provokim për çdo qytetar që nuk e ka marrë akoma pagën e luftës, për çdo biznes që po falimenton prej dështimeve të Ramës, për çdo të papunë sot në Shqipëri dhe për çdo shqiptar të ndershëm”, tha Basha.
Edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha sot në një deklaratë për mediet se “rrënojat e teatrit janë rrënojat e sistemit të drejtësisë, janë rrënojat e shtetit, janë rrënojat e institucioneve shumë të më mëdha se rrënojat e teatrit”.
“Ky zotëri që flet për teatrin e tij të ri në projektime me vlera 30 milionë euro, do bënte mirë të mendonte që këto 30 milionë euro t’ua jepte qytetarëve që nuk kanë bukë të hanë”, tha Kryemadhi. /j.p/r.e/












