“Aleanca për Teatrin” protestë përpara SPAK

TIRANË, 21 maj/ATSH/ Anëtarë të “Aleancës për Teatrin” protestuan sot përpara Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku kërkuan vijimin e hetimeve lidhur me shembjen e godinës së Teatrit.

Regjisori Robert Budina (anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së) tha se “ne do të vazhdojmë protestat deri sa të shohim një lëvizje nga prokuroria. Nuk e mbrojtëm dot teatrin. Ne do ta çojmë këtë lëvizje në të gjithë Shqipërinë, prandaj ata kanë detyrë të mos e çojnë popullin në përplasje me qeverinë”.

“Në momentin final duhet të një revoltë, një bllokim total që të fillojnë që të lëvizin”, tha Budina.

Pedagogu Ervin Goci kërkoi nga SPAK që të ndalojë punimet te Teatri.

“Kjo protestë këtu është politike. Shkrirja e sistemit të drejtësisë u bë politike. Protesta është politike se vijmë në statusin e çdo qytetari. Ne po protestojmë për teatrin dhe për çdo qytetar. Kemi bërë dy denoncime. SPAK nuk reagoi në kohë. Ne do të sjellim kallëzime të tjera”, – tha Goci.

Juristja Adriana Kalaja u shpreh se “në ditët në vijim do të depozitohen në SPAK edhe 4 kallëzime të tjera”.

/k.s/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.