TIRANË, 15 maj/ATSH/ Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë në Fier u bë kapja dhe vënia në pranga e dy autorëve, që i vodhën me dhunë 150.000 lekë punonjësit të Postës.
Policia zbardhi në kohë rekord ngjarjen dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale sasinë e lekëve të vjedhura.
Si rezultat i rrethimit të menjëhershëm të zonës, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe kapën në flagrancë autorët e dyshuar të ngjarjes, të cilëve gjatë kontrollit iu gjet dhe u sekuestrua edhe çanta me sasinë e lekëve që i kishin marrë me dhunë punonjësit të postës.
Në përfundim të veprimeve të kryera, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve G. N., 35 vjeç dhe H. M., 22 vjeç, banues në Sulaj, Fier.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim”./m.m/j.p/























