MYNIH, 16 prill /ATSH-DPA/ – Prodhuesi i makinave luksoze gjermane ”Audi” planifikon të rifillojë prodhimin në fabrikën e tij kryesor në Ingolstadt në Bavari në fund të prillit, tha sot një zëdhënëse.
Zëdhënësja nuk tha se kur uzina në Neckarsulm, në shtetin fqinj të Baden-Wuerttemburg, do të fillonte operacionet.
Filiali i ”Volkswagen”-it mbylli prodhimin në të dy uzinat gjermane më 23 mars. Gjysma e 61 000 punëtorëve gjermanë të ”Audi”-it aktualisht janë me pagë me kohë të shkurtuar.
Prodhimi i motorit rifilloi në fabrikën hungareze të ”Audi”-it në Gyor të martën, por me vetëm një turn, në vend të tre që punon normalisht.
Grupi ”Volkswagen” po planifikon të rifillojë punën edhen në Zwickau në Gjermaninë Lindore, edhe në Bratislavë dhe më pas në Portugali, Spanjë dhe SHBA./ a.jor.























