“Paga e luftës”/ 18% e aplikimeve u refuzuan nga Tatimet, nuk ishin pjesë e paketës së parë

TIRANË, 13 prill /ATSH/ 18% e aplikimeve të bëra nga bizneset dhe të vetëpunësuarit për të marrë pagën e luftës janë refuzuar, pasi kanë rezultuar që nuk bënin pjesë në grupin e ndërmarrjeve që ushtrojnë aktivitet që mbyllet.

E përkthyer në shifra, kanë qenë 15.153 ndërmarrje që kanë aplikuar dhe janë refuzuar.

Arsyet e refuzimit të aplikimeve janë të shumta, por sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, refuzimet më të mëdha kanë ndodhur pasi subjekti që ka aplikuar ka qenë biznes i madh, dhe që nuk përfiton nga paketa e qeverisë.

Po ashtu janë refuzuar aplikimet e atyre bizneseve që kanë kërkuar të marrin pagën e luftës, ndërkohë që aktiviteti i tyre është i lejuar. Sipas tatimeve, shumica e kërkesave të refuzuara kanë ndodhur për shkak se biznesi që ka aplikuar futet te kategoria e biznesit të madh.

Ka pasur biznese që ndryshe janë regjistruar në tatime dhe ndryshe në QKB. Pra në tatime mund të rezultojë si biznes IT, dyqan rrobash apo një aktivitet tjetër, ndërsa në QKB- rezulton si bar-kafe, restorant etj.

Një pjesë e bizneseve që kanë aplikuar kanë qenë biznese të lejuara që të ushtrojnë aktivitetin; Mund të ketë pasur pasaktësi në aplikimin e kryer; Pagën e luftës do e përfitojnë vetëm ata biznese që janë në listën e aktiviteteve të mbyllura me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë; Refuzohen edhe ato persona që janë në më shumë se një listëpagesë. Pra të dy ose trepunësuarit përfitojnë vetëm një pagë.

Po ashtu nëse një tatimpagues ka më shumë se një biznes, pra nëse ka 2 biznese, një është i hapur dhe një i mbyllur, dhe punonjësit i ka të punësuar në të dy bizneset ata nuk përfitojnë pagë, pasi marrin një pagë nga biznesi që është i hapur. Në rastin e biznesit të mbyllur punonjësit që nuk kanë një punë të dytë do të marrin pagë.

Refuzime mund të ketë edhe me kërkesë të vetë subjektit, i cili pasi ka aplikuar ka konstatuar se ka pasur pasaktësi në aplikim, dhe për këtë arsye bën kërkesë në e-filing për t’ju refuzuar aplikimi, dhe në rast se ju refuzohet atyre iu lind e drejta të riaplikojë.

Kërkesa mund të refuzohet edhe për pasaktësi në llogarinë bankare por që mund të riaplikojë përsëri.

Përfitojnë vetëm ata punonjës që janë në listëpagesën e subjektit përpara muajit mars, pra pagat shpërndahen bazuar në listëpagesat e mëparshme. Për ato subjekte, të cilat i deklarojnë listëpagesat çdo tremujor, merret në konsideratë listëpagesa e tremujorit të fundit të vitit 2019, ndërsa për subjektet, të cilat i deklarojnë listëpagesat çdo muaj, merret në konsideratë listëpagesa e muajit janar 2020.

Nga paga e luftës është parashikuar që të përfitojnë 60421 individë, të punësuar e vetëpunësuar në biznese të vegjël me xhiro 0-14 milionë lekë ne vit, përfitojnë pagë 26 mijë lekë muaj. Po kështu brenda kësaj kategorie përfitojnë edhe 30 mijë të punësuar, të cilët kanë deklaruar pagë 0. Edhe ata do të përfitojnë pagë 26 mijë lekë muaj. Rreth 70 mijë familje në ndihmë ekonomike, përfitojnë dyfishin e pagesës aktuale të ndihmës ekonomike. Dhe 2700 individë me pagesë papunësie, përfitojnë dyfishin e pagesë aktuale të papunësisë. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.