TIRANË, 29 mars /ATSH – I. Vata/- Këshilltari për Ekonominë në PD, Dorian Teliti ka reaguar sot në lidhje me paketën e ndihmës ekonomike duke kërkuar të rishikohet.
Në një deklaratë për mediet Teliti thekson se Partia Demokratike kërkon rishikimin e paketës së ndihmës së qeverisë.
“Shqipëria sot është në betejë kundër virusit, por qeveria është në luftë për të mbuluar 2 të vërteta të hidhura. E vërteta e parë është se qeveria ka përjashtuar nga ndihma ekonomike më shumë se gjysmën e qytetarëve që kanë mbetur pa të ardhura për shkak të masave të jashtëzakonshme. E vërteta e dytë është se askush nuk do të paguhet për 18 ditët e marsit, kur shumica e bizneseve u mbyllën dhe qytetarët u futën në karantinë me urdhrin e qeverisë. Paketa gjysmake e qeverisë parashikon shtrirjen e efekteve nga 1 prilli. Kjo do të thotë se marsi nuk përfshihet fare në llogaritë e Edi Ramës për të ndihmuar qytetarët”, tha ai.
Në vijim Teliti shton se “në vendimin e fundit thuhet se ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga data 1 prill 2020 deri në përfundim të gjendjes së epidemisë nga COVID-19, por jo më shume se 3 muaj.” Është e qartë se vendimi i qeverisë ka përjashtuar ndihmën për muajin mars, duke lënë në mëshirë të fatit më shumë se 1 milionë qytetarë. Hyrja në fuqi në 1 prill e vendimit nuk do të thotë se pagesa do të kryhet menjëherë. Pas aplikimit nga bizneset, do të duhen të paktën 10 ditë të tjera që te marrin një përgjigje, nëse përfitojnë apo jo nga fondet e pamjaftueshme të vëna në dispozicion”.
“Lënia pa të ardhura për të paktën 1 muaj nga mbyllja e detyruar e bizneseve është pasojë direkte e vonesës së pajustifikuar dyjavore të qeverisë për hartimin dhe zbatimin e paketës së ndihmës. Edhe ato pak masa te lançuara nga qeveria janë gjysmake dhe jotransparente”, tha ai.























