TIRANË, 22 mars/ATSH/ Qyteti verior i Pukës i cilësuar një aventurë e bukur turistike e çdo stine sot është i boshatisur nga njerëzit dhe automjetet.
I kthyer në qendër atraksioni turistik për vizitorët vendas e të huaj sot në Pukë ka mbizotëruar heshtja pas situatës së krijuar nga COVID-19.
Qytetarët janë vetëkarantinuar në banesat e tyre që prej 15 marsit, në kuadër të masave të marra nga qeveria për të minimizuar përhapjen e koronavirusit të ri, të njohur edhe si COVID 19.
Qyteti i Pukës ndodhet në veri të Shqipërisë në një lartësi prej 838 metrash mbi nivelin e detit, duke përbërë një prej qyteteve më të lartë të vendit. Pranë qytetit ndodhen pika malore me mundësi për zhvillimin e këtij lloji turizmi. Qyteti shquhet për ajrin e pastër duke qenë se rrethohet edhe nga një pyll pishash prej 400 hektarësh. Pranë qytetit ka dhe një pistë natyrore ku mund të ushtrohen rrëshqitjet me ski. Gjithashtu ajo shërben si një bazë e mirë për ushtrimin e alpinizmit në malin e Munellës dhe në bjeshkët e Tërbunit./k.s/























