Ballina Flash

COVID-19/ Këshilli Bashkiak Shkodër: Angazhim për zbatimin e masave të marra nga qeveria, duhet të jemi të gjithë bashkë në këtë situatë

TIRANE, 20 mars/ATSH/ Këshilli bashkiak, Shkodër angazhohet të bashkëpunojë me organet e qeverisjes qendrore dhe Emergjencat Civile për të siguruar mbështetjen e plotë për çdo qytetar që ka nevojë në këtë situatë të luftës ndaj COVID-19.

“Këshilli Bashkiak, Shkodër po ndjek me vëmendje situatën dhe shqetësimet e krijuara si rezultat i pandemisë për shkak të COVID-19. Duhet të jemi të gjithë bashkë në këtë situatë. E çmojmë shumë të rëndësishme që Bashkia si institucioni përgjegjës të kujdeset dhe të alokojë nga fondet e veta fonde të mjaftueshme në ndihmë të familjeve në nevojë, të krijojë grupe pune për asistencën e të moshuarve dhe personave PAK, të ketë një koordinim mes Bashkisë Shkodër dhe Emergjencave Civile në Ministrinë e Mbrojtjes për të mos patur mbivendosje në ofrimit të ndihmave. Nëpërmjet Policisë Bashkiake të sigurojë distancimin social si e vetmja armë kundër këtij virusi”, thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit Bashkiak.

Këshilli bashkiak siguron qytetarët se është në dispozicion për çdo nevojë, përfshirë dhe diskutimet për ndryshim të buxhetit vendor 2020, nëse propozohet nga Bashkia, duke pasur parasysh mos cenimin e projekteve të rëndësishme sociale dhe zhvillimore dhe ofrimin e shërbimeve bazë për të gjithë qytetarët.

“Do jemi në koordinim të plotë dhe me politikat e institucioneve qendrore dhe akteve normative të Qeverisë”, thuhet në deklaratën e Këshillit.

Edhe deputetja e partisë Socialiste, Senida Mesi vlerësoi angazhimin e Këshillit Bashkiak në këtë luftë ndaj pandemisë.

“Jemi të gjithë, tha ajo, bashkë në këtë situatë, qeverisja qendrore dhe lokale për të dalë të fituar nga kjo luftë me Covid-19. Ajo shprehu bindjen se secili do të bëjë çdo gjë që mundet në këtë situatë të vështirë.

“Këshilli Bashkiak Shkodër i gatshëm për të dhënë kontributin e tij, larg “fake news” dhe retorikës politike, pasi kjo nuk është koha për politikë, por është koha të zbatojmë urdhrat e të ndihmojmë njëri-tjetrin”, tha ajo./a.gjonaj/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVIDEO-Elbasan, shpërndahen ndihma ushqimore për 47 familje në nevojë
Artikulli tjetërBalla: Mirënjohje për qytetarët e Elbasanit që kanë respektuar rregullat, Policia patrullim nëpër lagje