Si lindi 8 Marsi, Dita e Gruas

Historia dhe kuptimi i një përvjetori të themeluar në vitin 1921, që na fton të reflektojmë për rolin e femrës në shoqëri dhe për çështjet kritike që ende ekzistojnë

TIRANË, 8 mars /ATSH/ 8 Marsi është data kur në të gjithë botën festohet Dita Ndërkombëtare e Gruas, e cila nuk është një ditë e feminizmit ekstrem, por momenti kur të gjithë jemi të ftuar të reflektojmë për çështje që lidhen me botën femërore, mbi arritjet e mëdha çështje sociale dhe politike që lidhen me mundësi të barabarta dhe hapat e ardhshëm që duhen ndërmarrë për të kapërcyer boshllëqet që ekzistojnë ende. Nën sytë e njerëzimit vazhdon lufta ndaj të gjitha diskriminimeve dhe dhunës ndaj gruas. Në të gjithë botën gratë vazhdojnë të ngrenë zërin e protestës për të luftuar kundër shkeljeve të shpeshta të së drejtës për të qenë të sigurta e për të qenë të lira në zgjedhjet e tyre. Disavantazhet profesionale dhe ekonomike janë disa çështjet për të cilat gratë në të gjithë botën vazhdojnë të luftojnë. Edhe pse është e vërtetë që janë bërë shumë hapa përpara, veçanërisht në vendet Perëndimore, është gjithashtu po kaq e vërtetë që rruga drejt barazisë gjinore dhe emancipimit social është ende e gjatë.

DITA NDËRKOMBËTARE E GRUAS – Ishte Konferenca e Dytë e Grave Komuniste, e mbajtur në Moskë në vitin 1921, e cila zgjodhi datën 8 Mars, duke miratuar institucionalizimin e një dite të vetme për festimet dhe unifikimin e festimeve, që deri në atë në moment kur ato filluan, zhvilloheshin në kombe të ndryshme në data të ndryshme. Arsyet për të cilat u zgjodh 8 Marsi për Ditën e Gruas janë të shumta: Konferenca moskovite kishte referencë të qartë një demonstrim të vitit 1917 që u zhvillua në Shën Petërburg dhe që pa gratë e qytetit në vijën e parë të frontit përballë carizmit me thirrjet “Bukë dhe paqe”. Disa ditë më vonë, Cari i Rusisë abdikoi dhe data mbeti në librat e historisë për të treguar fillimin e Revolucionit të Shkurtit 1917. Më pas, u identifikuan episodet e tjera simbolike që lidhen me datën e 8 Marsit, më pak të lidhura politikisht, dhe më pranë botës kulturore të Perëndimit: disa gjurmë zgjedhin një fakt dramatik, i cili ndodhi në vitin 1857 në Shtetet e Bashkuara, kur një grup punëtoresh humbën jetën në një zjarr në fabrikën ku punonin, ku ishin bllokuar nga punëdhësi i tyre, për të mos i lejuar ato të merrnin pjesë në një grevë. Ky episod shpesh ngatërrohet me një tjetër rast, i cili ndodhi në një situatë të ngjashme në Nju-Jork më 8 mars 1911, ku zjarri në një fabrikë të prodhimit të këmishave u mori jetën 134 grave. Në dritën e studimeve më të fundit, vërtetësia historike e shumë prej këtyre episodeve është vënë në dyshim, por vlera simbolike e ngjarjeve shkon përtej saktësisë së lajmit.

Festimi i Ditës së Gruas në Europë fillon para Konferencës së Moskës: ajo daton që nga viti 1910, kur në Kopenhagë të Danimarkës, Konferenca Ndërkombëtare e Grave Socialiste themeloi Zyrën e Informacionit të Grave Socialiste me qëllimin e deklaruar për t’u dhënë të drejtën grave për të votuar dhe, në përgjithësi, trajtim të barabartë në lidhje me burrat, duke ndjekur shembullin e Shteteve të Bashkuara, të cilat kishin krijuar një Ditë të Gruas qysh në vitin 1908.

DITA E GRUAS – Në Italinë fqinje festimet e para në lidhje me Ditën e Gruas datojnë që nga viti 1922. Pas një ndërprerjeje në vitet e regjimit fashist, festimi rifilloi gjatë Luftës së Dytë Botërore, në veçanti me rastin e luftës çlirimtare, në formën e mobilizimit kundër luftës dhe për të drejtat e grave. Kështu, grupet e mbrojtjes së grave u formuan të lidhura me Komitetin Nacionalçlirimtar, nga i cili u formua më pas UDI (Unione delle Donne Italiane – Unioni i Grave Italiane). Më 1946 UDI organizoi 8 Marsin e parë në Italinë e çliruar, duke propozuar ta bënte atë një ditë për njohjen e të drejtave sociale dhe politike të grave.

SIMBOLET – E para dhe menjëherë e lidhur me 8 Marsin është mimoza. Kjo lule e bukur e verdhë u shfaq si një simbol i festës që në vitin 1946. Ideja u atribuohet tri ish-partizaneve dhe politikaneve: Teresa Noce, Rita Montagnana dhe Teresa Mattei, të cilat u orientuan në njërën nga lulet e sezonit, që kishin çelur në fillim të marsit. Mimoza ka lule erëmira, është relativisht e lirë dhe për këtë arsye përballohet nga të gjithë, si dhe ofron një pamje tërheqëse dhe festive. Ngjyra e verdhë, përveç shprehjes së gjallërisë dhe energjisë, përfaqëson kalimin nga vdekja në jetë: mimoza është kështu një metaforë e përsosur për të kujtuar gratë që luftuan me kosto jetën e tyre për barazi dhe të drejta.

TË DREJTAT E GRAVE – Dita Ndërkombëtare e Gruas vjen si një ditë e cila kujton jo vetëm arritjet shoqërore, ekonomike dhe politike të saj, por është gjithashtu një moment për të reflektuar dhe ndërgjegjësuar për zonat në hije që akoma poshtërojnë dhe diskriminojnë popullatën femërore në të gjithë botën. Në mënyrë ideale, 8 Marsi shoqërohet me një datë tjetër simbolike, 25 Nëntorin, në të cilën festohet Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, e themeluar si datë në dhjetor 1999.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.