Xhafaj: E vërteta e sulmit të gjatë nga Partia e Babales

TIRANË, 4 mars/ATSH-Arbi Fortuzi/ Ish-Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj e cilëson audiopërgjimin e publikuar nga Partia Demokratike kundër vëllait të tij, si një film politik të ideuar, zhvilluar dhe montazhuar në çdo element të tij, në zyrat e SHQUP-it, ku nën drejtimin e Lulzim Bashës dhe zbatimin e një aventurieri politik, u bë e mundur të kënaqet përkohësisht, veç një rreth i ngushtë që sot është edhe më i vogël.

Teksa Gjykata Penale e Tiranës tashmë ka dhënë vendimin duke dënuar aktorët që u morën me inskenimin e dosjes “Babale”, Xhafaj ka rrëfyer detajet e panjohura rreth audiopërgjimit të njohur me emrin “Babale”, të publikuar nga PD dhe të vlerësuar si jo reale nga Gjykata Penale e Tiranës, ku protagonistët e saj janë dënuar në Shkallën e Parë për mashtrim.

Ish-ministri Xhafaj, gjatë një interviste të publikuar të mërkurën thekson se “individë dhe segmente të caktuara, po përpiqeshin të inskenonin ngjarje e situata që të më kompromentonin mua më së pari. Mbasi kërkuan rreth meje dhe nuk gjetën gjë, si “urithi” tentuan të përndjekin familjarët e mi, tek të cilët gjithashtu nuk arritën të gjenin ndonjë provë kompromentuese. Madje mund t’ju them se ka pasur edhe individë që kanë dashur t’i komprometojnë të afërmit e mi, të cilët falë Zotit, u kanë rezistuar tundimeve. E kur nuk arritën gjë, e sajuan një të tillë”.

“Gjithë akuza, ashtu siç e dini, mbështetet vetëm tek autoregjistrimi i një individi, te thëniet e Albert Veliut apo të ashtuquajturit nga “regjisor” Basha, me emrin e artit “Babale”. Siç është provuar edhe në hetime, Albert Veliu ishte i njohur publikisht si mashtrues, me disa dënime penale mbi kurriz dhe që e këmbeu këtë aventurë me shpërblim financiar, me ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit dhe mbështetjen për marrjen e azilit për të dhe familjen e tij nga Partia Demokratike”, – thekson Xhafaj.

Gjithashtu, gjatë intervistës, Xhafaj kujton se Alizoti, i ka kërkuar shpërblimin prej 200 mijë euro nga ish-deputeti i PD, Salianji. “Alizoti në çdo seancë gjyqësore që ka pasur përballë Salianjin, ka ngritur gishtin ndaj tij duke i kujtuar shpërblimin prej 200 mijë euro të premtuara dhe duke akuzuar atë personalisht për këtë gjë. E kur ky Alizoti paska qenë një aktor i sajuar nga qeveria dhe i akuzon për një shpërblim prej 200 mijë eurosh të premtuara nga Salianji, përse këta nuk kërkuan një veprim të thjeshtë procedurial gjatë hetimit dhe gjykimit?! Pse nuk kërkuan të bënin provën e zërit të Alizotit të cilin e kishin aty dhe në çdo kohë  mund ta bënin këtë gjë?! Sepse mjafton të bënin këtë gjë, ku të provonin që ai nuk është zëri i pretenduar prej tij dhe gjithçka kthehej në pikën zero”.

Intervista e plotë:

Z. Xhafaj, së fundmi gjykata ka dhënë vendimin për çështjen “Babale” e cila shkaktoi një furtunë jo të vogël sulmesh ndaj jush. Tashmë që gjithçka duket e sqaruar për opinionin publik, si ndjeheni ju personalisht?

Gjithçka nisi mbi të dhëna false, vijoi të shfrytëzohet politikisht nga njerëz fals dhe u besua po nga ata individë fals që e krijuan atë. Të jem i sinqertë edhe pas vendimit sërish nuk jam krejtësisht i qetë, pasi fatkeqësisht kuptoj se kur një grusht gënjeshtrash politike depërtojnë në jetën e një ligjvënësi dhe për më tepër në funksionin e ministrit të Brendshëm, imagjino se çfarë ka ndodhur me qytetarët e zakonshëm të cilët shpeshherë ndeshen me pasojat që prodhon politika e baltës, shpifjeve e fyerjeve.

Që në datën 14 maj 2018 ne kemi këmbëngulur në pavërtetësinë e atij audioregjistrimi montazh dhe kemi kërkuar që kjo të certifikohet ligjërisht dhe të ndëshkohet. Ndëshkimi apo edhe burgimi i personave fajtorë nuk është ajo që çliron shpirtin tonë në këtë rast, por çdo ndëshkim ka vlerën e vet edukuese dhe shpresoj që edhe me kaq procesi ta ketë bërë punën e tij, të ketë dhënë mesazhet e duhura njerëzore dhe politike.

Kemi vërejtur që ju prej një kohe shumë të gjatë, nuk jeni përfshirë në asnjë formë dhe në asnjë moment në diskutimet dhe debatet publike, në lidhje me hetimin dhe gjykimin e kësaj çështjeje. Pse përcjellja e kësaj historie është bërë me kaq qetësi nga ana juaj?

Kjo nuk ka qenë beteja ime ligjore, por e vëllait tim që akuzohej nga disa persona që kishin prodhuar një kallëzim të rremë ndaj tij, natyrisht me objektiv mua. Në respekt të ligjit, përmes avokatit, ai kërkoi me iniciativë hetimin e plotë të kësaj çështjeje për të shkuar te e vërteta. Natyrisht që ka qenë e njohur dhe çdo ditë u bë edhe më e qartë se në këtë proces, e jo vetëm, tabela e qitjes ishte im vëlla, por objektivi real isha dhe mbetem unë.

Vëllai im dhe historia e tij, u përdor për qëllimin e vërtetë të këtij sulmi – goditjen ndaj meje si drejtuesi i reformës në Drejtësi dhe si ministër i Brendshëm. E bën të dhimbshëm, të pamoralshëm dhe të pisët këtë proces, fakti që për të shkatërruar imazhin e kundërshtarit tënd politik, për ta shantazhuar atë në funksionin e tij shtetëror, angazhohen përmes fabrikimit të provave të rreme strukturat e një partie politike që synon të qeverisë vendin.

Përse kjo zgjedhje?

Më duhet të theksoj se edhe interesi im dhe i familjes sonë, ishte që revoltën dhe pakënaqësinë për këtë goditje të rëndë, ta kanalizonim përmes institucioneve dhe ligjit. Shpresojmë t’ia kemi arritur. Sjell në vëmendje fjalën time të parë në Kuvend pas akuzave ku kam theksuar se: “Jam njeri i ligjit dhe do të pres me qetësi institucionet e ligjit të bëjnë detyrën konform ligjit. Jam zyrtar i shtetit dhe më duhet të respektoj dhe të pres me durim veprimin dhe përfundimet e institucioneve të shtetit”.

I kam qëndruar deri në fund besnik këtij qëndrimi publik dhe në respekt të institucioneve të vendit tim, nuk kam reaguar edhe kur jam provokuar, sulmuar apo goditur deri te njerëzit më të shtrenjtë, ku njerëz pa asnjë kufizim dhe princip moral, helmatisnin opinionin publik me lloj-lloj shpifjesh në përpjekje për të sfumuar të vërtetën.

Sa i papritur ka qenë për ju lajmi mbi audiopërgjimin? A menduat për një moment që ai mundet të ishte i vërtetë, apo që në dëgjimin e parë të materialit nëpërmjet medias ju konstatuat se zëri nuk ishte ai i vëllait tuaj?

Sipas disa të dhënave që kam pasur, më rezultonte se prej disa kohësh disa individë dhe segmente të caktuara, po përpiqeshin të inskenonin ngjarje e situata që të më kompromentonin mua më së pari. Mbasi kërkuan rreth meje dhe nuk gjetën gjë, si “urithi” tentuan të përndjekin familjarët e mi, tek të cilët gjithashtu nuk arritën të gjenin ndonjë provë kompromentuese. Madje mund t’ju them se ka pasur edhe individë që kanë dashur t’i komprometojnë të afërmit e mi, të cilët falë zotit ju kanë rezistuar tundimeve. E kur nuk arritën gjë, e sajuan një të tillë.

Nuk pata asnjë dyshim për falsitetin e atij audioregjistrimi të bërë publik nga PD-ja, që në momentin e parë që e dëgjova. Ishte e qartë që zëri nuk ishte i tim vëllai. Ai ka një specifikë të lindur në tingullin e zërit e duke qenë se ajo është shumë e dallueshme, nuk shfaqej kurrkund në zërin e transformuar në audioregjistrim. Familjarë të mi por edhe të tjerë miq që e njohin Agronin, më telefonuan menjëherë pasi dëgjuan materialin dhe më konfirmuan se ai zë vetëm me tim vëlla nuk kishte lidhje. Pavarësisht se më indinjoi shpifja, dua të them se kam qenë i revoltuar me autorët, por nga ana tjetër i qetë që në fillim në raport me të vërtetën.

Para se të hyjmë në disa detaje më të hollësishme, a mund të përmblidhni këtë që ka ndodhur se si e shihni në këndvështrimin tuaj?

Nuk besoj se ka nevojë për përshkrime të gjata. Është thjesht një film politik i ideuar, zhvilluar dhe montazhuar në çdo element të tij, në zyrat e SHQUP-it ku nën drejtimin e Lulzim Bashës dhe zbatimin e një aventurieri politik, u bë e mundur të kënaqet përkohësisht, veç një rreth i ngushtë që sot është edhe më i vogël. Edhe sikur ai audio-regjistrim të konsiderohej real qoftë edhe për një moment të vetëm, nuk ka asnjë provë apo fakt që implikon në asnjë aferë kriminale vëllanë tim, e jo më pastaj mua.

Kaq do të mjaftonte që këtu të mos kishte një çështje, e jo më hapësirë për të ngritur akuza ordinere dhe të investohej opinioni publik dhe organet e drejtësisë në një proces prej gati dy vjet hetimi e gjykimi, me shumë aktorë e faktorë dhe me interesa që bashkonin palë shumë larg njëra-tjetrës.

Cila është e vërteta e gjithë kësaj akuze të rëndë sipas jush?

Gjithë akuza, ashtu siç e dini mbështetet vetëm tek autoregjistrimi i një individi, te thëniet e Albert Veliut apo të ashtuquajturit nga “regjisor” Basha, me emrin e artit “Babale”. Siç është provuar edhe në hetime, Albert Veliu ishte i njohur publikisht si mashtrues, me disa dënime penale mbi kurriz dhe që e këmbeu këtë aventurë me shpërblim financiar, me ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit dhe mbështetjen për marrjen e azilit për të dhe familjen e tij nga Partia Demokratike.

Ata thonë “kemi një audiopërgjim të cilit i mungon pajisja origjinale e incizimit”. Pretendohet që është përgjuar me një pajisje në formë stilolapsi dhe prokurorisë i thuhet se ky stilolaps ka humbur. Po si mund të mos ruhet pajisja themelore në një përgjim, që është siguria e provës që ti pretendon se është shkatërruese për kundërshtarin?! Përgjigja është e thjeshtë: Nëse dorëzohej ajo kuptohej lehtë që s’ka asnjë bisedë, s’ka asnjë audiopërgjim sikundër u shit në publik, por thjesht një autoregjistrim të inskenuar, siç është në fakt.

Çfarë reflektohet nga kjo analizë?

Nëse analizojmë me kujdes rrethanat e bërjes publike të kësaj akuze, kohën e prezantimit të saj, personat e përfshirë në të, mungesën e fakteve më minimale dhe vetë kontradiktat e tyre në pohimet në kohë të ndryshme dhe nga njëri te tjetri etj, kuptohet qartë ky mashtrim i sajuar. Këtë material audioregjistrimi tërësisht fals, “e pasuruan” edhe me elementë “artistik” dhe e shfaqën si film për publikun, përmes disa individëve që të zhytur në mëkate e ligësi pafund personale apo familjare dhe përmes vetëpërdorimit të radhës, bënë shërbimin ndaj atyre që i keqpërdorën.

Këta të fundit, shpresuan se përmes helmit të tyre do të mund të ushqenin zemërimin qytetar, me besimin se shantazhi do të funksiononte për të shkatërruar imazhin tim si ministër, për të rënduar imazhin negativ të qeverisë, si dhe të Shqipërisë në ato momente përcaktuese për hapjen e negociatave me BE-në.

A ka një të vërtetë në sulmet e opozitës ndaj jush dhe përse u gjet pikërisht vëllai juaj, për ta ngritur gjithë këtë sulm ndaj jush?

Që në fillim po ju them se në gjithë këtë “tallava” politike, mediatike dhe ligjore, ka vetëm një fakt të vërtetë dhe vetëm një. Një histori të ndodhur para 18 vjetësh, një histori mjaftueshëm e njohur. Një ngjarje e vitit 2002 ku im vëlla në moshë të hershme, është përfshirë në një aktivitet në shkelje të ligjit. Vendimi i dënimit ka qenë një fakt i njohur publikisht prej vitesh. Pikërisht këtë e rinxori sërish për ta shfrytëzuar PD-ja, si armë të vjetër për ta hedhur sërish në luftë. Përdori atë dënim të vjetër për të krijuar alibinë e re, me bindjen se kjo do të ngjiste më lehtë te publiku për sulmet ndaj meje. U përzgjodh im vëlla, e djeshmja e hidhur e tij, për t’u bërë “kurban” pa faj, por duke kërkuar “kokën” time si ministër i Brendshëm.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Kjo është një histori e njohur dhe e stërnjohur, e shkruar dhe e stërshkruar, e akuzuar dhe e stërakuzuar, për shkak të angazhimit tim politik. Është vetë kjo forcë politike e cila e ka risjellë në diskutime publike sa herë që ka pasur interesa politike ndaj meje. Kështu ka ndodhur në vitet 2002, 2010, 2017 dhe 2018, kur për të njëjtën gjë janë zhvilluar akuza dhe debate publike. Ju rikujtoj se në vitin 2002, ende pa e ditur askush në Shqipëri këtë ngjarje, unë personalisht kam kërkuar dorëheqjen si ministër.

Është e njëjta akuzë që është adresuar ndaj meje edhe kur isha në opozitë dhe këta në pushtet, edhe kur isha në krye të reformës në drejtësi, edhe kur isha ministër i Brendshëm. Në çdo rast prej 18 vjetësh publikisht kam pohuar vërtetësinë e këtij fakti dhe kam kërkuar të trajtohet si një dhimbje familjare, duke synuar rehabilitimin e tij shpirtëror si për çdo shtetas tjetër, e për më tepër të asaj moshe dhe me atë lloj implikimi. Pavarësisht kësaj, ka ndodhur krejt e kundërta. Gjuetia e shtrigave ka bërë punën e saj, ku sa herë që është dashur të sulmohem unë, është rinxjerrë nga arkivi kjo histori.

Po atëherë z. Xhafaj, pse u risoll sërish nga opozita kjo tezë dhe përse u zgjodh pikërisht ai moment kohor? Cili ishte qëllimi sipas jush?

Megjithëse ishte një akuzë e dalë boje, në pamundësi që të ngrinin një akuzë bindëse ndaj meje që të lidhej me punën time si politikan aktiv dhe si zyrtar në disa funksione të larta, ata nxorën përsëri të njëjtën histori. Kësaj radhe për ta bërë më të prekshme dhe më të besueshme për sulmet, fabrikuan një audioregjistrim të turpshëm, i cili u hetua për rreth një vit e gjysmë nga prokuroria, gjykata, media dhe padyshim edhe nga vetë opinioni publik e sidomos ai i Vlorës ku përfshihet kjo ngjarje.

U bënë me qindra orë përgjimi me urdhër të gjykatës, rreth 30 dëshmitarë dëshmuan në hetim e gjykim për maskaradën e organizuar nga PD-ja, duke përfshirë dy kriminelë me precedentë penal. Sërish, pavarësisht këtij hetimi të thelluar, nuk u gjend asnjë provë e vetme, që mund të implikonte vëllanë tim në një veprimtari kriminale në këto vite sikundër pretendohej.

Po pse në atë moment?

Ky ishte momenti kur reforma në drejtësi sapo kishte nisur zbatimin e saj dhe kundërshtarët politikë të saj dhe sidomos ata në lidershipin e opozitës aktuale, nuk mund ta linin pas dore hakmarrjen ndaj meje. Gjithashtu në atë hark kohor, në funksionin tim si ministër po shfaqeshin disa veprime të forta në luftën kundër krimit dhe mentorëve të tij me disa suksese të prekshme për publikun dhe të mbështetur fort nga ndërkombëtarët. Këtu kujtoj veçanërisht çrrënjosjen e fenomenit të  kanabisit dhe goditjen e disa grupeve/organizata të strukturuara kriminale. Kam qenë i vetëdijshëm për kundërreagimin e tyre ndaj meje.

Të jem i sinqertë, kurrë nuk do ta kisha menduar se vullneti shkatërrues, denigrues dhe pervers i një grupi politik, do të shkonte deri në këto nivele sa të kthente fabrikimin e provave dhe shantazhin në sjellje zyrtare duke bashkëpunuar me elementë kriminal, keqpërdorur institucionet e shtetit dhe duke mashtruar kaq hapur e kaq paturpësisht publikun. Siç është provuar qartë tashmë, ligësia politike dhe njerëzore e një grupi të opozitës dhe interesat meskine të tyre, u bënë bashkë me interesa të grupeve kriminale dhe subjekteve të caktuara, brenda e jashtë sistemit të drejtësisë së kalbur.

Kur flisni për përfshirje të elementëve kriminalë, çfarë keni parasysh?

Ajo çfarë më solli më shumë keqardhje në këtë histori, ishte unisoni në qëllim, në sulmin kundër meje, midis këtij grupi të opozitës dhe disa individëve me procedentë të njohur kriminal. Kështu për shembull, disa prej atyre që kanë pasur detyrën e shoqërimit dhe strehimit për Alizotin, Babalen dhe familjen e tij, në Tiranë dhe më pas në Bruksel, janë persona të skeduar nga policia si individë me precedentë penalë. Ndonjëri prej tyre edhe i përfshirë në një nga ngjarjet e bujshme kriminale të asaj periudhe për trafikim narkotikësh. Pa vazhduar më tej me përfshirjen e disa elementëve të tillë, në mbajtjen gjallë të sulmeve ndaj meje dhe familjes sime në disa media, sidomos pas largimit tim nga detyra e ministrit.

Ish-deputeti Salianji dhe avokatët e tij kanë pretenduar se midis vëllait tuaj dhe “Babales”, kishte një lidhje të afërt miqësore dhe bashkëpunim për aktivitete kriminale. Çfarë dini ju për këtë gjë?

Miqësia dhe njohja nuk janë e njëjta gjë. Për fat të keq janë të dy banorë të të njëjtit qytet, pavarësisht se u përkasin origjinave të ndryshme dhe historive e karaktereve krejt të kundërta. Ky është një fakt i njohur mirë në atë qytet, megjithëse “ustallarët” që e mësuan, i qepën një alibi të keqe: Babalja gjoja e bëri këtë gjë për “Hakmarrje” dhe i sajuan disa “fakte” që nuk ekzistojnë. Skeda kriminale e Albert Veliut është shumë e pasur në disa vepra penale dhe e shtrirë ndër vite, ku asnjë prej tyre nuk ka sesi të lidhet, qoftë edhe indirekt me tim vëlla. Edhe sepse nga viti 2002 e këtej im vëlla ka jetuar në Shqipëri.

Ndërkohë, siç ka rezultuar nga tabulatet telefonike të administruara në dosjen hetimore gjatë gjithë vitit 2017, midis tyre ka vetëm 4 thirrje telefonike të matura me sekonda (përkatësisht 69, 121, 20, dhe 29 sekonda). Të gjitha janë thirrje të bëra nga Albert Veliu dhe që të katërta të bëra në muajin tetor dhe jo rastësisht. Ishin në përgatitje të këtij skenari, për inskenimin e audioregjistrimit. Ndërsa gjatë vitit 2018, asnjë komunikim midis tyre. Si mund të kesh lidhje, komunikim, bashkëpunim dhe për më tepër veprimtari kriminale të këtij niveli, me dikë që nuk ke pothuajse asnjë lloj kontakti?!

A ka pasur një takim midis “Babales” dhe vëllait tuaj, siç pretendohet nga Salianji dhe mbrojtja e tij?  Cilat janë argumentet që sipas jush, e rrëzojnë këtë fakt?

Ndryshe nga sa pretendon Salianji dhe avokatët e tij, prokuroria ka administruar në dosje të gjitha komunikimet telefonike të tim vëllai dhe Albert Veliut (Babales) përgjatë viteve 2017 dhe 2018, si dhe specifikisht për datën e pretenduar që është bërë takimi. Një gënjeshtër e madhe është pretendimi i ngritur se më datën 24 tetor 2017, ka ndodhur një takim midis Albert Veliut dhe Agronit në lokalin e këtij të fundit dhe aty qenka bërë dhe regjistrimi. Provat dhe faktet e administruara në dosjen hetimore të prezantuara në gjykim, provojnë të kundërtën dhe për mua ato vlejnë më shumë se deklaratat politike të kuzhinës së SHQUP-it.

Në dosjen gjyqësore, nga analiza e qelizave telefonike të asaj dite (24 tetor 2017), kur është pretenduar për takimin dhe regjistrimin e bisedës, rezulton qartazi se në asnjë moment të asaj dite, telefonat e këtyre dy personave nuk kanë loguar njëkohësisht në të njëjtin orar dhe në të njëjtin vend. Katërcipërisht është e provuar me fakte konkrete se ky takim, nuk është zhvilluar. Mjaft të shohësh skemën e lëvizjes së këtyre personave sipas antenave telefonike të botuara edhe nga ju si media, dhe e kuptoni lehtësisht këtë gjë.

Po pretendimet e gazetarit Jetmir Olldashi?

Gazetari Jetmir Olldashi i cili pretendon se ka bërë një “investigim të madh” së bashku me “Babalen”, si në hetim, dhe në gjykim, në asnjë rast nuk ka provuar dot një takim të ndodhur dhe të verifikuar prej tij. Të dyshuarin kryesor sipas tij, pra tim vëlla, as e ka parë dhe as nuk e provon dot nëse është takuar me “agjentin” e tij “Babale”. Vetë “Babalja”, personi që na paska bërë regjistrimin, në deklarimin e tij në prokurori, në një ndër versionet e paraqitura ka pohuar se takimi  na qenka bërë në orën 17:30, te lokali i tim vëllai në Vlorë. Ndërkohë që sipas qelizave telefonike në këtë orë, “Babale” me “Olldashin” janë rrugës duke u kthyer nga Vlora për në Tiranë dhe pikërisht në atë orë kanë qenë në unazën e madhe të Tiranës, ndërsa im vëlla gjendej në Lushnjë!!

Nga ana tjetër, vetë Salianji dhe Olldashi por edhe avokatët e tyre, kanë deklaruar në gjyq krejt të kundërtën duke pretenduar se takimi na qenka zhvilluar në orarin 12:30 – 13.45, te lokali i vëllait tim në qytetin e Vlorës. Kësaj i thonë “I zoti s’e jep, tellalli e shet”. Gjithësesi edhe nëse do duam të pranojmë versionin e tyre dhe jo të mikut të tyre Babale, tabulatet dhe qelizat telefonike provojnë krejt të kundërtën. Në të njëjtin orar që vetë pretendojnë se është kryer takimi dhe regjistrimi, rezulton se sipas qelizave telefonike, antenave ku telefonat e tyre kanë loguar, vendndodhja e Babales dhe Olldashit është shumë larg nga ky vend. Konkretisht ata të dy në orën 12:46 gjenden në Orikum, në orën 13:47 kanë mbërritur te Marina në Lungomare dhe në orën 14:22 gjenden rrugës në Mifol, në dalje të Vlorës.

Ndërkohë që sipas skemës së publikuar edhe nga ju si media, qelizat telefonike për tim vëlla, vërtetojnë krejt të kundërtën. Ai në orën 12:45 gjendet në Vlorë (konkretisht te ish-fabrika e Orizit), në orën 13:45 në dalje të qytetit dhe në orën 14:27, antenat e telefonit e tregojnë në qytetin e Fierit, d.m.th rreth 40 km larg nga vendtakimi i pretenduar.

Në dijeninë tuaj, a ka pasur komunikim mes tyre para këtij orari?

Kjo është edhe më interesantja. Që të fiksohet një takim, normalisht duhet komunikuar paraprakisht me personin. Gazetari “i madh investigativ” në deklarimet e tij publike, por edhe në prokurori e gjykatë, ka pohuar se pasi Babalja ka komunikuar me Agronin, kanë caktuar një takim i cili sipas Olldashit, na qenka zhvilluar në orarin 12:30 – 13:45, te lokali i tij në qendër të Vlorës. Mirëpo siç rezultojnë nga tabulatet e administruara në dosjen hetimore dhe bërë publike në gjykatë, nuk ka asnjë komunikim midis Babale/Olldashit dhe Agronit para këtij orari. Kjo telefonatë ka ndodhur, por kur Babale ka telefonuar Agronin, ka qenë ora 14:27, pra shumë mbas orarit të pretenduar për një takim/regjistrim të mundshëm dhe qelizat telefonike tregojnë se këta dy njerëz ishin në pika lëvizjeje të ndryshme.

Njëri (Babale) sapo ishte larguar nga Vlora në Mifol, dhe tjetri (Agroni) në Mbrostar Ura në Fier duke shkuar në drejtim të Lushnjës. Pra asnjë fakt i pretenduar nuk lidhet fare me tjetrin. Mjaftojnë këto detaje për të kuptuar se është një gënjeshtër e madhe nga çdo anë. Siç shihet rezulton e provuar qartë, me fakte konkrete nga analizimi i të gjithë të dhënave, se më datën 24 tetor 2017, nuk ka pasur asnjë lloj takimi midis “agjentit” Babale dhe tim vëllai, siç është pretenduar në skenarin e SHQUP-it dhe është thënë e stërthënë nga papagallët e tyre publikisht, çka do të thotë se bie edhe vetë thelbi i “akuzës” së pretenduar përmes filmit montazh të tyre.

Sipas jush, përse u përfshi Albert Veliu në këtë histori sa të sajojë një ngjarje të tillë me natyrë kriminale dhe aspak njerëzore? Cili ka qenë përfitimi i tij nga ky shërbim i kryer?

Ideuesit e këtij fabrikimi duhet thënë se e kanë një meritë. Kanë gjetur “agjentin” e përshtatshëm për ta, që përputhej me skenarin, aktorët, skenaristin dhe me regjisorin e filmit. Ishte pikërisht ky mashtrues ordiner i keqpërdorur nga një grup mashtruesish parapolitik, që plotësonte të gjitha karakteristikat për të luajtur në këtë produksion të SHQUP-it. Siç ka rezultuar nga provat e mbledhura në dosjen hetimore dhe në shqyrtimin gjyqësor, në këmbim të audioregjistrimit, Babales i janë premtuar para dhe azil politik për të dhe familjen.

Këtë e provuan qartazi tabulatet e interceptimeve telefonike, ku në disa të tilla ai e pohon haptas këtë gjë. Lexoni me kujdes pohimet e tij të zbardhura nga komunikimet telefonike të datave 19, 21, 22, 23, 24 dhe 27 maj me familjarët dhe vetë bashkëpunëtorin e tij Fredi Alizoti, për ta konstatuar lehtë këtë gjë. Tani si mendoni ju, mund ta refuzonte një shans të tillë për disa mijëra euro dhe përfitim të azilit për familjen në Bruksel një njeri me këtë profil, me disa precedentë penal, dënuar disa herë për mashtrim, i papunë që e shtynte ditën duke kërkuar rrugëve “hua” 500 apo 1 mijë lekë të reja dhe që nuk udhëtonte dot jashtë, se kishte urdhër ndalimi për hyrje në vendet e BE-së?!

Si provohen sipas jush lidhjet e Babales me eksponentë të PD-së dhe posaçërisht me ish-deputetin Salianji?

Pohimet e vetë Salianjit në prokurori dhe në gjykatë, dëshmitarët e shumtë të pyetur dhe veçanërisht komunikimet telefonike të administruara, dëshmojnë për lidhje të shumta e të ngushta midis Salianjit dhe Babales. Gjithashtu, edhe të këtij të fundit me eksponentë të tjerë që ishin ngarkuar për realizimin e këtij skenari. Ka qenë vetë “heroi i Bashës” ai që e ka orientuar “agjentin” e tij Babale, në realizimin e këtij aktiviteti kriminal, gjë që provohet edhe nga vetë komunikimet midis tyre (Salianji – Babale) e sidomos ato në muajt tetor dhe më pas në nëntor, kur është ritentuar përsëri një inskenim tjetër po tashmë përmes segmenteve politike të PD-së në prokurori dhe SHISH.

Nga të gjitha dëshmitë rezulton se Babale u strehua në selinë e PD-së, si të ishte në habitatin e tij ku rrinte, ushqehej dhe po aty është takuar me të gjithë eksponentët e PD-së, përfshi dhe kryetarin e komanduar të PD-së, me të cilin ndan edhe pasionin për gënjeshtrën.  Është provuar nga përgjimet e Babales, por edhe nga deklarimet e vetë Salianjit se është PD-ja që e ka ndihmuar atë dhe familjen e tij që të kalojë kufirin dhe më pas të kërkojnë azil, fillimisht në Kosovë dhe pastaj në Belgjikë.

Nëse do të hetohej më shumë, do të rezultonte se e kanë ndihmuar të pajiset edhe me dokumente false për të udhëtuar nga Kosova në Bruksel. Pa përmendur edhe përgjimet e zbardhura ku flitet për angazhimin e drejtpërdrejtë të Bashës dhe Salianjit, për të udhëzuar dhe mbështetur familjen e Babales për përfitimin e statusit të azilantit politik. E shihni rreth çfarë boshti komik rrotullohet kjo forcë politike?!

Ndërkohë ka disa pohime të vetë Babales të bëra publike…

Ka një analizë tjetër shumë të rëndësishme dhe kuptimplotë për të kuptuar profilin e këtij “personi kyç” të skenarit të PD-së: “Kontradiktat e pohimeve të tij”. Janë një tërësi gënjeshtrash që edhe si të tilla, nuk lidhen dot me njëra-tjetrën. Tjetër gjë thuhet në filmin e shfaqur nga SHQUP-i, tjetër gjë në intervistën e Babales po në SHQUP, dhe krejt ndryshe në intervistën e dhënë po prej tij nga Kosova. Gjithë këto orientime të regjisorit as kanë fare përputhje me të vërtetën e shprehur prej Babales në përgjimet e zbardhura nga komunikimet telefonike, e sidomos ato me familjarët e tij dhe me Alizotin. Gjithashtu ai (Babalja) në pohimet e bëra gjatë pyetjes në prokurori dhe në komunikimet telefonike, thotë krejt të kundërtën me çfarë ka deklaruar publikisht në intervistat e orientuara dhe të kontrolluara prej regjisorit e skenaristit të telenovelës “Babale”.

Xhafaj, sipas jush cili është roli i Fredi Alizotit në këtë histori, një person shumë i kontestuar, madje i konsideruar shpesh edhe si një dëshmitar i sajuar?

Albert Veliu, apo “Babalja” siç i pëlqen Lulzimit ta thërrasë, fillimisht arriti të nxisë ekstazën te PD-ja se ai kishte mundësinë t’ju jepte provën për të shkatërruar ministrin e Brendshëm, përmes implikimit në aktivitet kriminal të vëllait të tij. Meqë ai nuk arriti ta sjellë këtë provë me tentativën e bërë më 24 tetor së bashku me Olldashin (mikun tjetër të Salianjit), ku prodhoi veç një parodi mashtruese, atëherë PD-ja vendosi ta ripërdorë “agjentin” e saj me ndihmën e grupit militant të saj në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në SHISH, me të cilët u tentua një tjetër tentativë për përgjim në periudhën 23 – 26 nëntor 2017 në Vlorë. Siç u provua në seancë edhe kjo rezultoi një tentativë e dështuar.

Në këto rrethana, i gjendur nën presionin e Salianjit që me këtë spekulim priste të shihte lavdinë e tij në strukturat e PD-së dhe i joshur nga premtimet financiare dhe mundësia për përfitim azili për familjen, Babale vendosi të bëjë hapin tjetër duke e sajuar një përgjim. Për këtë qëllim, në janar të vitit 2018, joshi në këtë aventurë edhe mikun e vjetër Fredi Alizoti. Jo veç se kishte besim, por edhe se siç është provuar nga ekspertiza britanike, ai kishte një zë gati të ngjashëm me Agronin. Fredi Alizoti i revoltuar se ndryshe nga Babalja nuk po shpërblehej për shërbimin e bërë me regjistrimin e zërit në audion e fabrikuar, pasi u zbulua kjo gjë nga përgjimet e komunikimeve të Babales me të, u vetëparaqit në prokurori duke dëshmuar të vërtetën e fabrikimit të audioregjistrimit.

Në këto rrethana, duke parë diskretitimin publik të akuzës së saj, PD-së padyshim i nevojitej një alibi publike për të rrëzuar një prej provave kyçe në këtë proces që ishte dëshmia e këtij personi që mori pjesë në fabrikimin e audiomontazhit duke imituar zërin e Agronit, duke pretenduar se: “Alizoti është dëshmitar i krijuar nga prokuroria, Xhafaj dhe Rama”.

Atëherë, cilat janë argumentet tuaja për këtë akuzë të palës tjetër?

Kjo është një alibi që nuk rri fare në këmbë për shumë arsye. Në mënyrë të pakundërshtueshme, me prova dhe fakte të administruara në proces, provohet qartazi se Alizoti është pjesë e intrigës së audioregjistrimit dhe nuk është një dëshmitar i sajuar. Ka disa fakte të njohura dhe të pranuara gjerësisht (edhe nga PD-ja për një pjesë të tyre), që duhet të sillen në vëmendje në lidhje me  Babalen e Alizotin, si dhe marrëdhëniet respektive midis tyre. Konkretisht:

(a). Ka patur një raport të ngushtë miqësor me Albert Veliun (Babalen) dhe familjarët e tij. Babale dhe Alizoti vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2018, kanë rreth 419 thirrje telefonike midis tyre;

(b). Vetëm 3-4 ditë pas publikimit të audio-regjistrimit dhe shumë ditë përpara se Alizoti të vetëdorëzohej në polici, ai dhe Babale flasin në telefon dhe nga përmbajtja e bisedave qartazi del që kanë pasur një marrëveshje për realizmin e audioregjistrimit;

(c). Si Babale, ashtu edhe Alizoti në një mënyrë apo në një tjetër, kanë pasur në kohë të ndryshme kontakte/takime me përfaqësues të lartë të PD-së dhe/ose me anëtarë, apo simpatizantë të kësaj partie;

(d). Nuk rezulton që Alizoti të ketë kontakte me Agron Xhafaj apo me persona të lidhur me të dhe ca më shumë me ata që pretendohet se e paskan sajuar atë.

 Ka edhe një tjetër fakt shumë domethënës që e shkërmoq pretendimin e PD-së se Alizoti është një dëshmitar i sajuar në këtë çështje. Alizoti ka dalë në përgjimet telefonike, duke komunikuar me Babalen në ditët menjëherë pas publikimit të audio-regjistrimit. Babale është vendosur nën përgjim më 17 maj 2018 dhe që në bisedat e para të regjistruara, ka dalë komunikimi me Alizotin. Në përgjimin e një bisede të zhvilluar më 18 maj 2018, ora 21:14, ka rezultuar se Alizoti fliste me Babalen për shpërblime të pritshme për punën e bërë së bashku. Pra vetëm 4 ditë nga bërja publike e audios dhe daljes në skenë të “dëshmitarit X”. Ky lloj komunikimi ka qenë i përditshëm në vazhdim midis tyre.

A faktohet kjo në përgjimet e administruara në dosje?

Është plotësisht e provuar ndër të tjera edhe nga komunikimet që vetë Alizoti ka pasur me Babalen se Alizoti ishte pjesë e këtij audio-montazhi. Përmbajtja e shumë bisedave të bëra midis Babales dhe Alizotit nga data 18 maj e në vijim, konfirmojnë raportin e tyre të ngushtë e miqësor. Ata flasin me shqetësimin që nuk po ju mbaheshin premtimet e bëra nga PD-ja dhe posaçërisht nga Salianji, por edhe për premtimet e bëra për përfitime financiare apo për azilin në një nga vendet e BE-së. Gjithashtu, ata flasin edhe mbi kujdesin që duhet të tregonin për të mos komunikuar në telefon mbi këtë çështje.

Në të gjithë këto biseda Babale, por jo vetëm ai, jo veç që nuk ja kundërshton Alizotit pretendimet për përfitimet e premtuara, por përkundrazi e mbështet dhe e udhëzon se si duhet të veprojë, madje edhe se si të bëjë presion te PD-ja, për të marrë pjesën e vet dhe pastaj t’i bashkohet atij në azil. Kushdo që ka dyshime, mund të lexojë vetë përgjimet e zbardhura, pjesë të dosjes gjyqësore, tashmë të bëra publike.

Nëse sipas tyre Alizoti ka qenë një aktor i sajuar, atëherë i bie që me këtë lloj komunikimi midis tyre edhe “Babalen e ka sajuar qeveria”?

Po sigurisht me logjikën “babaliste” të SHQUP-it kështu duhet thënë. Por le të shkojmë edhe më tej. Rezulton se gjatë atyre ditëve, Alizoti ka qenë jo thjesht një frekuentues i rregullt i mjediseve të SHQUP-it, por edhe ka marrë pjesë në takime e kontakte të shpeshta me disa përfaqësues të PD-së. Fillimisht në shoqërinë e Babales dhe i prezantuar si “kunati” i tij. Pas largimit të Babales, e njëjta histori me përpjekjet e bëra nga eksponentë të PD-së për ta zbutur lidhur me pretendimet e tij. Alizoti gjithashtu flet me këta në telefon dhe asnjë nga këta nuk i thotë as kush je ti dhe as pse je këtu, duke pretenduar për gjëra që s’kanë lidhje me ty!! Pastaj këta të PD-së kur nuk e njohin Alizotin dhe nuk i kanë ndonjë detyrim, përse kujdesen për strehimin e tij dhe e këshillojnë të mos flasë shumë lart e poshtë?!

Ka edhe një tjetër fakt të njohur tashmë publikisht. Alizoti në çdo seancë gjyqësore që ka pasur përballë Salianjin, ka ngritur gishtin ndaj tij duke i kujtuar shpërblimin prej 200 mijë euro të premtuara dhe duke akuzuar atë personalisht për këtë gjë. E kur ky Alizoti paska qenë një aktor i sajuar nga qeveria dhe i akuzon për një shpërblim prej 200 mijë eurosh të premtuara nga Salianji, përse këta nuk kërkuan një veprim të thjeshtë procedurial gjatë hetimit dhe gjykimit?! Pse nuk kërkuan të bënin provën e zërit të Alizotit të cilin e kishin aty dhe në çdo kohë  mund ta bënin këtë gjë?! Sepse mjafton të bënin këtë gjë, ku të provonin që ai nuk është zëri i pretenduar prej tij dhe gjithçka kthehej në pikën zero.

Nuk besoj se janë aq të paaftë avokatët e tyre që dërdëllisin ekraneve, sa të mos dinë edhe këtë mundësi të artë proceduriale. Po sigurisht se duke ditur të vërtetën, asnjë prej tyre nuk e kërkoi një gjë të tillë, madje tërhoqën dhe kërkesën e avokatit të Olldashit që kërkoi diçka të tillë në fillim të seancave gjyqësore. Këto janë vetëm disa nga prapaskenat të cilat ngritën tymnajën e madhe të gënjeshtrës rreth rolit të sajuar të Alizotit në këtë proces.

Nga ana e Salianjit dhe mbrojtjes, janë bërë publike disa komunikime të drejtuesve të policisë me Fredi Alizotin. Keni një koment për këtë?

I kam ndjekur dhe lexuar me vëmendje këto gjysma komunikime që Salianji i tundte nga njëra studio në tjetrën, si “prova të arta” për të vërtetuar alibinë që tentonte ta zhvlerësonte dëshminë e bashkëpunëtorit të tij Fredi Alizoti dhe ta paraqiste atë si dëshmitar të sajuar nga policia. Natyrisht edhe këto përgjime janë dhënë të cunguara për aq dhe si ju ka interesuar atyre. Në disa raste edhe të deformuara. Nga pikëpamja policore veprimet e drejtuesve të policisë së Fierit, janë tërësisht të rregullta dhe pa asnjë ngarkesë.

Provohet qartazi që është Alizoti ai i cili i ka telefonuar policisë dhe ajo thjesht ka bërë shoqërimin e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë. Me vendim gjykate është urdhëruar përgjimi dhe mbajtja në vëzhgim fizik të Fredi Alizotit. Këtë fakt policia e ka ditur, padyshim edhe drejtuesit e policisë së Fierit, pasi në territorin e tyre zhvillohej kjo gjë. Si mund t’i lejonin vetes që të flisnin për punë lekësh në telefon me Alizotin, siç pretendohet nga Salianji, në një përgjim të njohur si fakt prej tyre, por që realizohej dhe administrohej jo prej tyre, por prej prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda?!

Duhet të jem korrekt me të vërtetën dhe të pohoj se nga pikëpamja etike ka diçka që nuk shkon në ato komunikime. Një kujdes i tepruar komunikimi dhe një lloj tolerance prej dy drejtuesve besoj se ka ndodhur nga shqetësimi për ta pasur nën vëzhgim Alizotin, siç ishte urdhëruar nga prokuroria. Kjo pasi ky ishte banor i Fierit, por lëvizte shumë në drejtim të Tiranës dhe siç rezulton nga dosja hetimore ishte person i vështirë për t’u mbajtur nën vëzhgim. Natyrisht ka influencuar në këtë status të tij edhe presioni e frika mos i ndodhte gjë, ç’ka për vetë natyrën e çështjes, do ta rëndonte shumë situatën dhe përgjegjësinë e drejtuesve të policisë në këtë proces.

 Z.Xhafaj, po ju a keni pasur komunikime me policinë për këtë gjë?

Personalisht kurrë dhe për asnjë arsye nuk kam komunikuar me drejtuesit e policisë së qarkut Fier për këtë histori dhe asnjë prej tyre nuk ka pasur me mua një komunikim jashtë marrëdhënies zyrtare, për çfarëdolloj motivi, gjatë gjithë kohës që unë kam ushtruar detyrën e ministrit të Brendshëm. Jo se e them unë dhe duhet ta besoni, por kjo është një gjë që dihet mirë në të gjitha strukturat e policisë. Nëse kryeministri apo ministri i Brendshëm do të dëshironin të bënin një gjë të tillë që i kompromentonte rëndë, si mendoni ju se do t’ia besonin këtë operacion delikat drejtuesve vendorë të policisë së qarkut?! Mbase vetëm një budalla mund ta mendojë këtë gjë kështu. Po ka edhe budallenj kjo botë, ja si këta miqtë e Babales.

Po pretendimet?

Këta thonë që policët nën presionin e autoritetit tim, ishin përfshirë në këtë proces dhe unë isha “shefi i madh” që përmendet prej tyre dhe se Alizoti ishte dëshmitar i sajuar nga prokurorët e çështjes. Po ka një pyetje të thjeshtë për këtë alibi foshnjarake?! Nëse unë jam i përfshirë në këtë version të krijimit të Alizotit si aktor, a nuk mund t’i thosha fare mirë drejtorit të policisë dhe zëvendësit të tij mos flisni në telefon sepse ky është në përgjim apo me dëshirë desha të lija gjurmë dhe ta shkatërroja aktorin e përzgjedhur nga Rama e prokuroria për të mbrojtur vëllanë tim?! Po vetë prokuroria që e paska sajuar këtë dhe që kontrollonte procesin e përgjimit, si e lejoi t’ju digjej kaq lehtë aktori i sajuar prej tyre dhe pastaj t’i linte këto “prova të famshme” si dhuratë për Salianjin dhe babalet e tij në PD dhe nëpër media?!

Atëherë, përse ndodhi që Alizoti u vetëofrua të dëshmonte në këtë proces?

Në proces është trajtuar si një hakmarrje e tij ndaj faktit që nuk i është dhënë shpërblimi i kërkuar. Në fakt nuk është tamam kështu. Siç del nga dosja hetimore, shtetasi Fredi Alizoti ishte në përgjim për shkak të lidhjes me Albert Veliun i cili ishte vënë në përgjim qysh në datën 18 maj me vendim gjykate. Gjatë gjithë kohës në komunikimet e tyre është konstante frika nga zbulimi i së vërtetës dhe kujdesi për komunikimin. Në këtë pikë, rrethi ndaj tij ishte ngushtuar së tepërmi dhe si rrjedhojë e kësaj situate, por edhe mungesa e çdo shprese për një mbështetje pas largimit të Babales, e “detyroi” Alizotin të vetëdorëzohet në polici dhe të dëshmojë në prokurori pozicionin që kishte në këtë histori.

Natyrisht në këmbim edhe të mundësisë për një gjykim të shkurtuar dhe me shpresën për një dënim të lehtë. Gjë që nuk ndodhi në fakt as njëra dhe as tjetra. Alizoti, “aktori i qeverisë” (sipas Salianji & Co) e bëri procesin normalisht dhe u dënua me 2 vjet heqje lirie, të cilat i vuajti ditë më ditë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.