Ballina Flash

Bashkia e Durrësit vijon dëgjesat publike për zonat e rindërtimit

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Bashkia e Durrësit ka filluar turin e dëgjesave publike me qytetarët në lidhje me katër zonat për zhvillim të përcaktuara në qytetin bregdetar dhe miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

Dëgjesa e parë u zhvillua me banorët e njësisë administrative 6, aty ku ndodhet zona e rindërtimit nr.4. Në këtë dëgjesë publike morri pjesë kreu i bashkisë së Durrësit, Zhuljen Varfaj dhe zyrtarë e ekspertë të bashkisë së Durrësit që kanë prezantuar përpara qindra banorëve të zonës të gjitha etapat që do të ndiqen deri në zhvillimin dhe rindërtimin në këto zona.

Kryebashkiaku Varfaj pasi bëri një prezantim edhe të gjithë punës së deritanishme të bashkisë në drejtim të ringritjes pas tërmetit shkatërrues e vuri theksin tek zonat e zhvillimit që shërbejnë jo vetëm për të përballuar nevojat për strehim të familjeve te prekura nga tërmeti por do të jenë edhe një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të ekonomisë së qytetit tonë.

“Ato do të krijojnë lagje të reja me shërbime dhe infrastrukturë model duke sjellë më shumë zhvillim social e ekonomik, dhe për të ringritur qytetin pas dëmeve të 26 nëntorit”, deklaroi Varfaj.

“Zonat do të ofrojnë gjithashtu shërbime me njësi shërbimi, parkim, infrastrukturë, objekte publike, hapësira publike, qendra social- kulturore, qendra shëndetësore dhe arsimore”-, tha Varfaj.

Interesimi i banorëve të zonës ka qenë mjaft i lartë dhe ata kanë ngritur një sërë pyetjesh dhe problematikash lidhur me këto zona rindërtimi e sidomos me zonën 4 që i përket njësisë së tyre administrative.

Katër zonat për zhvillim në Durrës janë: zona 1 në lagjen 14 në Shkozet në njësinë administrative 5, zona 2 në lagjen 18 në njësinë administrative 4, zona 3 në lagjen 14 në Shkozet në njësinë administrative 5 dhe zona 4 në zonën e Spitallës në njësinë administrative 6.

Turi i dëgjesave me qytetarët për zonat e reja të zhvillimit do të zhvillohet edhe në njësi të tjera administrative të bashkisë Durrës.

/a.gjonaj/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKredia për biznesin zë 59% të portofolit total të huasë
Artikulli tjetërFier/ Një tjetër rrugë del nga harta e zonave problematike