TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli priti sot në një takim të dërguarën speciale të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Janina Hřebíčková.
Kodheli tha se takimi u fokusua në hapjen e negociatave dhe reformat në vend sidomos atë në drejtësi.
“Folëm për rolin parësor të parlamentit shqiptar dhe pozitat e favorshme të Shqipërisë sidomos në arenën ndërkombëtare. Folëm pa dyshim për situatën politike si dhe për mbështetjen që Çekia i ka dhënë e vazhdon t’i japë Shqipërisë përgjatë proceseve të saj integruese”, tha Kodheli.
Kodheli u shpreh se për herë të parë Hřebíčková e kishte vizituar Shqipërinë në vitin e largët ’91. “Ajo u shpreh pozitive për përparimin e vendit tonë, por sidomos lidhur me raportin e Komisionit të BE-së që pritet të dalë muajin e ardhshëm”, tha ajo.
/m.m/
















