Presidenti Trump: E ardhmja e Kosovës do të jetë e ndritshme

PRISHTINË, 14 shkurt /ATSH/ Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump i ka dërguar një telegram urimi presidentit Hashim Thaçi, me rastin e 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

“Populli amerikan dhe Unë së bashku, urojmë të gjithë qytetarët e Kosovës për 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Lidhjet e fuqishme ndërmjet Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë farkëtuar nga përkushtimi i përbashkët për bërjen e Kosovës shtet sovran, të pavarur, multietnik dhe demokratik”, thuhet në telegramin e presidentit Trump.

Ai ka përgëzuar Kosovën për zgjedhjet demokratike në muajin tetor, duke mirëpritur angazhimin e vazhdueshëm për të çuar përpara paqen, drejtësinë dhe prosperitetin për popullin e Kosovës si dhe tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ju dëshirojmë sukses në vitet e ardhshme, në fokusimin tuaj për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në forcimin e sundimit të ligjit si dhe në krijimin e kushteve për zhvillim sa më vibrant të sektorit privat”, thuhet më tej në telegram.

Presidenti Trump shpreh besimin se e ardhmja e Kosovës do të jetë e ndritshme.

“E ardhmja e vendit tuaj është e ndritshme. Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për marrëdhëniet e fuqishme bilaterale të mbështetura në punën e vyeshme të popullatës tuaj dinamike dhe në përcaktimin e përhershëm për vlerat tona të përbashkëta”, ka shkruar ai në telegramin e urimit.

Ky telegram urimi vjen sot, në ditën kur me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorit të SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, Kosova dhe Serbia nënshkruan në Mynih të Gjermanisë marrëveshjen për hekurudha dhe autostrada. Këtë marrëveshje presidenti Thaçi e ka cilësuar si “një tjetër moment historik” për Kosovën dhe se “ky është një hap i shkëlqyeshëm drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare paqeje midis dy vendeve”.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u shpreh optimist se marrëveshja e sotme do të sigurojë paqe për rajonin.

Kujtojmë se në muajin janar, Kosova dhe Serbia nënshkruan edhe marrëveshjen për hapjen e linjës ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit.

/KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.