Ballina Flash

Programi i Rindërtimit/ Dy javë kohë për aplikimin online

TIRANË, 13 shkurt/ATSH/ Qytetarët duhet të nxitojnë për të përfituar nga programet e rindërtimit përmes aplikimit online, proces i cili në fazën e tij të parë do të mbyllet më datë 28 shkurt.

Njësia nr. 4 në Tiranë i ka bërë apel banorëve të zonës për të nxituar në aplikime, pranë sporteleve të posaçme të ngritura për këtë qëllim.

“Për të gjithë qytetarët e njësisë 4, të prekur nga tërmeti, të nxitojnë të aplikojnë pranë sporteleve të posaçme të platformës “Shtëpia Ime ”, në njësinë administrative 4 për të përfituar nga programet e rindërtimit. Duke paraqitur dokument pronësie të banesës dhe kartën e identitetit”, -thonë specialistët e njësisë nr.4 në Tiranë.

Më tej, ato informojnë se “kërkesa juaj do të regjistrohet në platformën “Shtëpia Ime” nga stafet e dedikuara në sportele, të cilat, me pëlqimin tuaj, do të marrin përgjegjësinë e plotësimit të gjithë dokumentacionit të nevojshëm brenda 30 ditëve nga dita e aplikimit, për të kaluar në fazën tjetër të përfitimit”.

Sipas tyre, aplikacioni është tejet i thjeshtë, transparent dhe u jep mundësinë e ndjekjes nga celulari, të ecurisë së aplikimit në çdo kohë. z.tosku/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTURQI – Akar: Do të përdorim forcën kundër atyre që nuk respektojnë armëpushimin në Idleb
Artikulli tjetërFOTO/ Dita Botërore e Radios, rrugëtim brenda ekspozitës pamore “Retro”