TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Programi kombëtar i depistimit të kancerit të qafës së mitrës në Shqipëri i ofruar për herë të parë falas prej gati një viti, i mundëson 17 mijë grave në vit kryerjen e testet HPV.
Ky program kombëtar ka për qëllim identifikimin e hershëm dhe parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Në videon e publikuar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, infermieret thonë se vitet e fundit vihet re një trend në rritje i grave që e kryejnë këtë ekzaminim.
“17,000 gra përfitojnë falas testin HPV. Garantojmë për herë të parë, prej 2019 Programin Kombëtar të parandalimit të kancerit të qafës së mitrës për të gjitha gratë ndërmjet 40-49 vjeç! Ekzaminohu pranë qendrës tënde shëndetësore. Testi HPV është pa pagesë, parandalon kancerin e dytë më të shpeshtë tek gratë. Pesë minuta nga koha jote, të shpëtojnë jetën”, -thuhet në faqen zyrtare të ministrisë së Shëndetësisë.
“Vitet e fundit vihet re një trend në rritje i grave që e kryejnë këtë ekzaminim”, -shprehet doktoresha. Nga ana e saj, pacientja tha se për kryerjen e paptestit falas u informua nga stafi i qendrës shëndetësore.
Testimi me HPV kryhet i koordinuar nga Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet Institutit të Shëndetit Publik dhe ofrohet falas për gratë e grupmoshës 40-49 vjeç, që është edhe grupmosha më e prekur nga kanceri i qafës së mitrës.
Në Shqipëri kanceri i qafës së mitrës është kanceri i dytë më i shpeshtë pas kancerit të gjirit. Mbi 100 gra diagnostikohen me këtë kancer dhe pothuaj 40% e tyre humbin jetën nga ky kancer çdo vit në vendin tonë. Kanceri i qafës së mitrës prek gratë e moshave të mesme.
Qeveria e miratoi Programin Kombëtar të depistimit të kancerit të qafës së mitrës në Shqipëri më 30 janar të 2019. z.tosku/
























