TIRANË, 28 janar /ATSH/- 371 aplikime janë regjistruar në thirrjen e dytë të Programit IPARD II, për mbështetjen e investimeve në sektorin e bujqësisë dhe agrobiznesit në përfundim të afatit, të aplikimit.
Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, bën të ditur se, kjo shifër është 20% më shumë se në thirrjen e parë.
Fondi i Programit IPARD II në mbështetje të sektorit bujqësor është 57.6 milionë euro dhe sipas Agjencisë pas 1 javë pritet të përfundojë procesi i skanimit të dokumenteve, elektronikisht, dhe në fillim të muajit tjetër do të nisë analiza e detajuar dosjeve për gabime të mëdha dhe dokumente shtesë që mund të kenë nevojë për tu plotësuar.
Më pas, aplikimet fituese do të ndjekin fazat e tjera.
Në thirrjen e dytë, do të financohen 3 masa: Investimet në asetet fizike të fermave bujqësore; Investimet në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore; diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit. Financimi fillon me një minimum prej 10 mijë eurosh dhe maksimum deri në 2 milionë euro. Përqindja e mbështetjes me fonde publike arrin deri në 70 për qind të totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit. e.xh/




















