TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/- Forcimi i rolit të Organizatave të Shoqërisë Civile në vendimmarrjen e bashkive Tiranë, Durrës dhe Elbasan në lidhje me shërbimet sociale ishte në qendër të një trajnimi të zhvilluar sot në Tiranë.
Ky trajnim u organizua në kuadër të projektit “Koordinimi i bashkëpunimit të shoqërisë civile dhe institucioneve publike në nivel lokal” të zbatuar nga Instituti i Politikave Publike dhe Private (IP3) dhe të financuar nga Global Fund (GF) në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Në fokus të trajnimit të organizatave ishin komuniteti dhe ofruesit e shërbimeve publike për standardet e integruara të kujdesit shoqëror të ofruara nga institucionet publike.
Ditët e fundit në kuadër të këtij projekti u nënshkrua edhe një marrëveshje e mirëkuptimit ndërmjet bashkisë Tiranë dhe Organizatave të Shoqërisë Civile me qëllim rritjen e bashkëpunimit midis tyre dhe forcimin e ndërveprimit mes pushtetit vendor, shoqërisë civile aktive dhe qytetarëve, si dhe krijimin e një rrjeti bashkëpunimi funksional dhe efektiv në procesin e vendimmarrjes vendore./k.s/






















