TIRANE, 1 dhjetor/ATSH/- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, inspektoi sot disa lagje brenda Tiranës në njësinë 6 në Kombinat, në njësinë 8 dhe në njësinë, ku ka dëme të konsiderueshme nga tërmeti i 26 nëntorit.
Më e prekura nga zonat është Kombinati, ku banorët sipas tij shprehen se janë në mëshirë të fatit dhe se nuk kanë asnjë kujdes as nga bashkia, as nga qeveria.
“Sot në njësinë administrative 6 në Tiranë, qindra banesa të shkatërruara dhe të pabanueshme. Mes vuajtjeve, stresit dhe tronditjes banorët kërkojnë vlerësim urgjent, strehim dhe ndihma ushqimore! Ata thonë se deri tani janë tërësisht jashtë vëmendjes dhe të braktisur në fatin e tyre. Mirënjohje për kontributet dhe ndihmën e disa bizneseve që ndonëse në vështirësi kanë strehuar 40 familje. Ndërkohë u informova se ndihma të tjera të destinuara nga Kosova për këtë zonë janë ndalur në Kashar dhe nuk kanë arritur në destinacion. Gjithsesi vullnetarizmi nuk mjafton. Duhet menjëherë prania dhe ndihma e shtetit! ” shprehet Basha.
Basha u kërkoi banorëve të mos hyjnë në banesa të rrezikshme.












