Ballina Flash

Shqipëri-Greqi, bashkëpunim në fushën e kulturës dhe të artit

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ – Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka zhvilluar një takim me homologen greke, Styliani Mendoni. Gjatë këtij takimi të zhvilluar në Forumin e Ministrave të Kulturës, në UNESCO mbajtur në Paris, dy ministret kanë diskutuar mbi një sërë çështjesh të përbashkëta dhe mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe të artit mes dy vendeve tona.

“Si dy vende fqinje dhe me përvoja të ngjashme, kemi shumë për të mësuar nga njëri-tjetri. Sot pata mundësinë të takohem me Ministren greke të Kulturës dhe Sportit, znj. Styliani Mendoni, me të cilën diskutuam mbi bashkëpunimet e ardhshme në fushën e arkeologjisë, muzeologjisë, konkretizimin përmes një kalendari të përbashkët workshop-esh gjatë 2020, për mbështetjen e të rinjve, për zhvillimin e industrisë kreative, për ngritjen e kapaciteteve dhe specializimin në rivlerësimin e veprave të artit etj,” shprehet ministrja Margariti.

Takimi u mbyll me dëshirën e konkretizimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Ministrat e Kulturës nga e gjithë bota u mblodhën dje në UNESCO, në një konferencë të përbashkët, për të ndarë eksperiencat e tyre, në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm, përmes kulturës dhe politikave publike. /a.sh./ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTregu i aviacionit civil shqiptar i liberalizuar dhe me çmime të lira ‘low-cost’  
Artikulli tjetërBasha-Plenkovic: Presidenca e BE nga Kroacia në Janar 2020, lajm i mirë për Shqipërinë