VARSHAVË, 19 nëntor /ATSH-DPA/ – Kryeministri polak Mateusz Morawiecki do të paraqesë programin e qeverisë së re dhe do të kërkojë nga parlamenti i ri një votëbesim.
Sipas kreut të kancelarisë së kryeministrit, Michal Dworczyk, Morawiecki, kreu i qeverisë polake që nga fundi i vitit 2017, duhet të fokusohet tek çështje të tilla si ngadalësimi në ekonominë polake, vështirësitë demografike dhe ndryshimi i klimës.
‘’Përveç prezantimit të programit dhe planeve të veprimit të qeverisë për mandatin e tij të ardhshëm katërvjeçar, Morawiecki do të paraqesë gjithashtu një vizion zhvillimi më afatgjatë për vendin’’, tha Dworczyk.
Votëbesimi për qeverinë e Morawieckit, e parashikuar me Kushtetutë, është caktuar për mbrëmjen e sotme.
Kabineti duhet të marrë besimin falë mbështetjes së partisë në pushtet ”Ligj dhe Drejtësi” (PiS).
PiS është në pushtet që nga viti 2015./ /os/ a.jor.






















