TIRANË, 18 nëntor /ATSH-A.ALLA/ Në Kalanë e Tiranës u çel sot edicioni i katërt i javës së kuzhinës italiane në Shqipëri. Kjo javë synon të promovojë traditat kulinare dhe enogastronomike italiane në kuadër të tematikave dhe vlerave të mëdha që e veçojnë si cilësia, qëndrueshmëria, kultura, siguria e të ushqyerit, edukimi, identiteti, territori, biodiversiteti, dieta mesdhetare, gjithëpërfshirja, vlerësimi i produkteve.
Çelja e kësaj jave nisi sot me karuselin e verërave italiane, një event që për tri ditë radhazi do t’u lejojë pjesëmarrësve të zbulojnë dhe të përvetësojnë nocione specifike rreth disa verërave të veçanta italiane duke ndërvepruar drejtpërdrejt me referuesit e përzgjedhur.
Në çeljen e kësaj jave ishte i pranishëm ambasadori i Italisë në Tiranë Alberto Cutillo, si dhe rektori i universitetit IUAV të Venecias, Amerigo Restucci.
Në fjalën e tij ambasadori Cutillo tha se, “është bukur të jesh këtu sot në një vend kaq të bukur që bën bashkë historinë dhe të tashmen e Tiranës. Sot hapin javën e 4-t të kuzhinës italiane në botë, e cila ka nisur që prej vitit 2016. Java e kuzhinës italiane ka si synim jo vetëm paraqitjen e produkteve, por të shpalosë edhe faktin se ajo bazohet në disa parime që kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë, cilësinë dhe dietën mesdhetare italiane në veçanti”.
“Fotografitë e ekspozuara këtu janë të gjitha nga produktet tipike shqiptare nga zona të ndryshme. Tema e kësaj jave të 4-t është “Edukimi ushqimor, kultura e shijes”, pra kemi menduar të bëjmë bashkë çështjet që kanë të bëjnë me shijen, por edhe me cilësinë e produkteve”, – u shpreh Cutillo.
“Tema e veçantë e kësaj jave ka të bëjë me paraqitjen dhe promovimin e krahinës së Venetos dhe me atë që quhet ndryshe kodra e Proseccos, të cilat janë pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s”, – përfundoi Cutillo.
“Krahina e Venetos është e njohur për prodhimin e një vere të veçantë dhe shumë të rafinuar që është Prosecco. Po flasim për 800 mijë hektarë vreshta ku prodhohet kjo verë dhe është një industri që ka ditur të ruajë edhe peizazhin”, – tha rektori i Universitetit IUAV të Venecias, Amerigo Restucci.
Ai shtoi se, “ne punuam në shumë drejtime kur paraqitëm kandidaturën e kodrave të Prosecco-s në UNESCO dhe kur ekspertët erdhën ata vlerësuan në veçanti peizazhin. UNESCO vendosi të vlerësojë përveç produktit, edhe punën e njeriut për mbrojtjen e territorit dhe peizazhit”.
“Mendoj që shembulli ynë mund të ndiqet dhe mund të punojmë bashkë ashtu siç paraqitëm ne kandidaturën për UNESCO, mund ta bëjë edhe Shqipëria për të mbrojtur bashkë me prodhimet edhe territorin e vet dhe ta shfrytëzojë për arsye të turizmit. Në këtë drejtim, Italia mund ta ndihmojë dhe t’i japë një dorë Shqipërisë”, përfundoi rektori Restucci.























