TIRANË, 15 nëntor/ATSH/- Plani operacional në luftën ndaj informalitetit ka dhënë kontribut pozitiv në mbledhjen e të ardhurave në buxhet.
Të ardhurat totale të buxhetit për 9 mujorin 2019 llogariten 343.5 miliard lekë ose 98% e planit.
Në fund të vitit 2019 të ardhurat totale pritet të jenë rreth 474 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2018, rritja llogaritet 5.3%, ose 24 miliardë lekë më shumë.
Totali i të ardhurave të pritshme në raport me PBB-në në fund të këtij viti llogaritet 27.8%, nga 27.6 % që ishte në vitin 2018.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë prezantimit në Kuvend të projektbuxhetit për vitin 2020, shpjegoi se parashikimi i rritjes me 0.2% ndaj PBB-së e të ardhurave të buxhetit të shtetit, bazohet në përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave dhe luftës ndaj informalitetit, e cila edhe gjatë këtij viti ka kompensuar disa faktorëve të përkohshëm me efekte negative, të tillë si efektet nga kursi i këmbimit, ulja e prodhimit të energjisë elektrike, rënia e çmimeve të bursës për një sërë mineralesh, etj.
Për vitin 2020 në buxhet pritet të mblidhen rreth 502 miliard lekë, me një rritje prej 6.2% mbi të ardhurat e pritshme të vitit 2019 ose rreth 29.2 miliard më shumë./a.gjonaj/












