Banka e Shqipërisë, e hapur për praktikat mësimore për të gjithë studentët e fushës

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit Ekonomik, Universiteti i Tiranës

TIRANË, 8 nëntor /ATSH/- Banka e Shqipërisë është një institucion i hapur për kryerjen e praktikave mësimore për të gjithë studentët e fushës. Kështu u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit Ekonomik, Universiteti i Tiranës, mbrëmjen e së enjtes, ku ndër të tjera theksoi se, “si drejtues i një institucioni të rëndësishëm vendimmarrës së politikave ekonomike dhe financiare, në vazhdimësi kam besuar dhe kam mbështetur përfshirjen e brezit të ri në veprimtarinë e përditshme të institucionit. Përtej faktit që brezi i ri dominon në burimet njerëzore të Bankës së Shqipërisë, jemi munduar që, nëpërmjet një larmie programesh edukative dhe informuese, të mbajmë të ndezur interesimin dhe përfshirjen e studentëve në veprimtarinë tonë të përditshme”.

“Apeli që ju drejtoj sot është që të përpiqeni të përqafoni një filozofi të menduari dhe të vepruari të ndryshme, më moderne dhe më largpamëse, sigurisht pa lënë jashtë vëmendjes vlerat dhe traditat tona më të mira kombëtare. Këshilla ime është që për asnjë moment të mos hiqni dorë nga dija dhe nga librat. Nevoja për edukim është e pashmangshme dhe do t’ju shoqërojë përgjatë gjithë karrierës suaj, pavarësisht angazhimit tuaj specifik. Nuk ka rëndësi nëse do jeni pjesë e botës akademike, e sektorit privat, apo pjesë e institucioneve të rëndësishme publike apo ndërkombëtare. Për të qenë në majë të renditjes, gjithnjë do t’ju duhet të jeni të azhurnuar me teoritë, me rrymat dhe me gjetjet e kohës, të cilat shpjegojnë ligjësitë dhe funksionimin e tregjeve dhe të ekonomisë”, – u shpreh Sejko në fjalën e mbajtur me këtë rast.

Sejko shprehu mbështetjen në vazhdimësi të punës shkencore dhe kërkimore studentore; dhe siç tha ai, “dëshiroj të përfitoj nga rasti t’ju siguroj që edhe në të ardhmen, Banka e Shqipërisë do ta mbështesë pa kufizim brezin e ri të talentuar të vendit, duke i mbajtur të hapura dyert për ta, në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme”.

e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.