TIRANË, 7 nëntor/ATSH/- Punonjësit e Drejtorisë së Shërbimeve në bashkinë Pukë që në orët e para të mëngjesit po punojnë për rikthimin e normalitetit në qytet për shkak të reshjeve intensive të shiut.
Si pasojë e reshjeve të shiut dhe inerteve, janë bllokuar pusetat shkarkuese çfarë krijoi dhe vështirësi momentale.
Bashkia e Pukës bën të ditur se punonjësit janë në krye të detyrës në mënyrë që mos të krijohen vështirësi nga reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë qytetin verilindor ditët e fundit.
Po ashtu punonjësit e Ujësjellës Kanalizimeve po punojnë për riparimin e një defekti në tubacionin kryesor të linjës së Ujësjellësit pranë nënstacionit elektrik të qytetit të Pukës, ku për pasojë është ndërprerë furnizimi me ujë i lagjes së ish-Grumbullimit dhe në lagjen e ish -Zonës Industriale.
Vendi ynë do të ndikohet sot nga mot me vranësira, të cilat do të shoqërohen me reshje shiu të vazhdueshme me intensitet mesatar e të lartë në formën e rrebesheve me shkarkesa elektrike. /k.s/ /a.g/






















