PRISHTINË, 5 nëntor /ATSH/ Qeveria në detyrë, në mbledhjen e saj sot ka miratuar propozimvendimin për kursime dhe ndarje buxhetore të organizatave buxhetore, në pajtim me nenin 15 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.
Po ashtu në këtë mbledhje është miratuar edhe raporti i Thesarit për arkëtimet dhe shpenzimet për periudhën 9-mujore. Këto dy propozimvendime i ka arsyetuar ministri në detyrë i Financave, Bedri Hamza, i cili tha se përfitues i vendimit të parë janë Policia e Kosovës me mbi 4 milionë euro për blerje të pajisjeve, po ashtu fonde u janë ndarë edhe Ministrisë së Punës, Ministrisë së Jashtme dhe SShKUK.
Po ashtu në këtë mbledhje është miratuar edhe propozimvendimi për rivarrimin e Dëshmorëve të Kombit. Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj tha se nëse vonohet edhe më tej formimi i qeverisë të mbahet edhe një mbledhje e ardhshme, duke parë rëndësinë për vendin. Mbledhja e fundit e qeverisë në detyrë ishte mbajtur më 26 korrik. /KosovaPress/























