VIDEO/ Informaliteti- Mbi 55 mijë deklarime të të dhënave të llogarive bankare nga tatimpaguesit

Tiranë, 5 Nëntor/ATSH/- Data 28 tetor ishte afati i fundit i dorëzimit pranë administratës tatimore i të dhënave të llogarive bankare nga tatimpaguesit. Nga ky detyrim ishin të përjashtuar vetëm tatimpaguesit persona fizik, të cilët nuk janë të përfshirë në skemën e TVSH-së.

Hapja dhe deklarimi i llogarive bankare pritet të luajë rol të rëndësishëm në reduktimin e ekonomisë informale dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit.

Përgjegjëse e sektorit të Shërbimit ndaj Tatimpaguesve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Rozana Çelmeta në një prononcim për ATSH-në theksoi se ka qenë një numër prej rreth 55 mijë tatimpaguesish që kishin detyrim për të dorëzuar të dhënat e tyre.

“Elektronikisht pra e-filling në llogarinë e tyre të deklarimit elektronik kanë depozituar të dhënat bankare më shumë se 52 mijë tatimpagues. Mënyra elektronike ishte një nga mënyrat përmes së cilës tatimpaguesit mund të deklaronin të dhënat e tyre”, tha Çelmeta.

Aktualisht shpjegoi ajo, jemi në procesin e vlerësimit të dorëzimit të këtyre të dhënave nga tatimpaguesit, nëpërmjet dorëzimit fizik të tyre, pra me letër, apo nëpërmjet modulit “Çështjet e mia” në llogarinë e deklarimit elektronik.

“Pasi të bëhet verifikimi dhe vlerësimi i të gjithë depozitimeve nga ana e tatimpaguesve, në rastet kur do të verifikohet që tatimpagues të caktuar nuk e kanë plotësuar këtë detyrim ligjor, do të ketë edhe penalitete”, theksoi Çelmeta.

Penalitetet nuk janë automatike, vuri në dukje ajo, pra nuk vendosen automatikisht nga sistemi, por janë penalitete që vendosen nga inspektori tatimor.

“Për tatimpaguesit persona fizik që kanë detyrim, pra që janë të përfshirë në skemën e TVSH-së, penaliteti për mos deklarim të të dhënave bankare është 25 mijë lek. Për personat juridikë, pavarësisht nga qarkullimi i tyre penaliteti është 50 mijë lek dhe për OJF-të, penaliteti është 37 mijë lekë”, tha Çelmeta.

Çelmeta u shpreh se nuk do të ketë në asnjë rast penalitet për tatimpaguesit të cilët kanë deklaruar përmes formave të tjera, jo vetëm përmes deklarimit elektronik.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.