Thaçi: Kosova mbetet kampion në luftën kundër terrorizmit

PRISHTINË, 4 nëntor/ATSH/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nëpërmjet një videomesazhi ka theksuar vlerësimin e SHBA-së për Kosovën në luftën kundër terrorizmit, vlerësim që sipas presidentit, është impresionues.

“Një vlerësim ky i merituar, sepse Kosova ka vite që dëshmohet edhe praktikisht në luftën kundër terrorizmit, fundamentalizmit dhe çdo lloj ekstremizmi që paraqitet në Kosovë, në rajon ose jashtë rajonit, kudo në botë, së bashku me partnerët ndërkombëtarë”, shprehet ai.

Thaçi ka theksuar se Kosova ka dëshmuar zotësi, aftësi dhe vajzat dhe djemtë e saj kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm dhe historik për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, por edhe në rajon.

“Vlerësimi i SHBA-së për Kosovën si një kampion në luftën kundër terrorizmit në rajon, është një përgjegjësi shtesë për institucionet, për qytetarët tanë, për gjeneratat e ardhshme. Rruga e Kosovës është e ardhmja euroatlantike, por Kosova do të dëshmojë edhe më fuqishëm se do të jetë e pa kompromis ndaj fenomeneve dhe rreziqeve të tilla. Vetëm kështu mund të kemi një vend të sigurt, të zhvilluar dhe prosperues”, shprehet Thaçi. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.