TIRANË, 30 tetor /ATSH/ “Drejtuesit në nivelet më të larta të qeverisë së Shteteve të Bashkuara kanë treguar një angazhim për Reformën në Drejtësi dhe për të luftuar trafikimin, duke marrë forcë nga tradita amerikane e çlirimit të njerëzimit, e njëjta traditë e nderuar nga Frederick Douglass”.
Kështu ka deklaruar i Ngarkuari me Punë i Shteteve të Bashkuara, Daniel Koski në Konferencën Rajonale kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.
Duke cituar Sekretarin e Shtetit, Pompeo, Dan Koski tha se, “trafikantët duhet ta dinë që ne nuk do të tolerojmë veprimet e tyre të neveritshme dhe kriminale. Së bashku, ne duhet të jemi të vendosur dhe së bashku duhet të vazhdojmë të ndërtojmë zinxhirin që lidh trafikantët me ndjekjet penale dhe dënimet, që mbështet viktimat me strehëza dhe përkrahje dhe ngre lart të gjithë Shqipërinë me premtimin e të nesërmeve më të ndritshme”.
Ai përgëzoi Qeverinë për financimin dhe punësimin e koordinatorëve të viktimave në zyrat e prokurorisë. “Vitin e kaluar, qeveria bëri gjënë e duhur dhe financoi strehëzat për viktimat e trafikimit. Këtë vit, i bëj thirrje qeverisë shqiptare të ndërmarrë hapin tjetër logjik duke krijuar një mekanizëm financimi që ndan fonde dhe burime të përshtatshme për strehëzat mbi një bazë të qëndrueshme dhe të rregullt”, tha ai.
Koski në Konferencën Rajonale kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore u ndal edhe te Reforma në Drejtësi e Shqipërisë. “Edhe pse Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve qëndron në zemër të saj, Reforma në Drejtësi është më shumë se kaq. Ajo parashikon një shoqëri që mbron anëtarët e saj më të cenueshëm dhe ndëshkon ata që i viktimizojnë. Shfrytëzojeni vrullin e Reformës në Drejtësi, për të nxitur dhe frymëzuar veprimet tuaja për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore. Kjo është një forcë e pandalshme. Përdoreni energjinë e saj”, tha Koski. /a.sh/j.p/














