TIRANË, 29 tetor/ATSH- Arbi Fortuzi/ Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur të martën, të shtyjë për në datë 8 nëntor seancën për leximin e pretencës për sipërmarrësin Arbër Çekaj dhe 2 të pandehurit e tjerë të akuzuar për trafikun e 613 kilogramë kokainë të kapur në Maminas.
Gjatë seancës të zhvilluar sot, ku pritej leximi i pretencës, mungonin avokatët e dy të pandehurve, Donald Lushaj dhe Armando Pezaku, ndërsa nga avokati Maksim Haxhiaj u dorëzua kërkesa për shtyrje të seancës për arsye shëndetësore. Gjyqtarët vendosën të pranonin kërkesën, duke caktuar datën 8 nëntor si ditën e seancës së radhës, ku organi akuzës do të lexojë pretencën.
Më 21 shtator, Arbër Çekaj doli para gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila konfirmoi ‘arrestin me burg’ për biznesmenin e bananeve që u arrestua në Gjermani dhe u ekstradua në Shqipëri më 19 shtator pasi akuzohet për 613 kg kokainë të kapur në portin e Durrësit.
Arbër Çekaj u arrestua në mars të 2018, në Gjermani, pasi kishte shkuar atje për të kërkuar azil me pretekstin se në Shqipëri i rrezikohej jeta. Por drejtësia gjermane vendosi ta mbante në burg, duke kryer hetimet edhe për llogari të tyre, pasi dyshohej se një pjesë e kokainës kishte pikërisht Gjermaninë si destinacion.
613 kg e kokainës, të fshehura në banana, u kapën në mars të vitit të kaluar në portin e Durrësit, ngarkesë e cila po shoqërohej nga shoferi Armando Pezaku dhe menaxheri i “Arbri Garden”, Donaldo Lushaj të cilit u paraqitur për të kryer zhdoganimin.
Pas ekstradimin në vendin tonë, ai doli para gjykatës ku dhe kërkoi gjykim të shkurtuar. Trupa e Gjykatës për Krime të Rënda ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar dhe tashmë pritet që Prokuroria të lexoj pretencën. /j.p/























