HUNGARI – Një bankë misterioze ruse shqetëson opozitën dhe SHBA-në

BUDAPEST, 29 tetor /ATSH-AFP/ – Hapja në Budapest e një banke, që dyshohet të jetë degë e shërbimeve sekrete ruse, ka ngjallur shqetësimin e opozitës hungareze, por gjithashtu dhe të SHBA-së, para një vizite të planifikuar të presidentit rus, Vladimir Putin në Hungari.

E ashtuquajtur nga opozita hungareze si “kali i Trojës i Putinit” në Europën Qendrore, banka “International Investment Bank” (IIB), e drejtuar nga fëmijët e spiunëve sovjetikë, është vendosur përfundimisht në kryeqytetin hungarez.

“Është një ide e keqe për të sjellë ‘International Investment Bank’ (IIB) në Budapest”, konfirmoi ambasada amerikane.

“Potencialisht, Rusia mund të përdorë praninë e kësaj banke në Hungari për të vendosur aktorët rusë brenda hapësirës Schengen”, shtoi përfaqësuesja diplomatike amerikane duke konfirmuar frikën e opozitës që ka denoncuar një prekje të sigurisë kombëtare.

”David Cornstein, ambasadori i emëruar nga Uashingtoni në Budapest, ka diskutuar në mënyrë të vazhdueshme për këtë çështje me autoritetet hungareze, të cilave u ka shprehur shqetësimin”, thuhet në mesazhin elektronik.

E themeluar në vitin 1970, gjatë Luftës së Ftohtë, nga Bashkimi Sovjetik, për të riforcuar lidhjet financiare mes vendeve komuniste, IIB-ja është sot e regjistruar zyrtarisht si një organ me të drejta të plota e Federatës së Rusisë.

Banka do të punësojë më shumë se 100 persona që gëzojnë imunitet diplomatik në sajë të statusit shumëpalësh dhe ndërqeveritar, deri në kohën kur të bëhet totalisht operacional vitin e ardhshëm.

Kuba, Mongolia dhe Vietnami janë bashkaksionerë me pesë vende të Europës Qendrore dhe Lindore që i përkasin Bashkimit Europian dhe NATO-s (Bullgari, Rumani, Hungari, Sllovaki dhe Republika Çeke)./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.