Ballina Flash

Mbahet në Tiranë konferenca ndërkombëtare e mbrojtjes së të dhënave

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ U mbajt sot në Tiranë konferenca e 41-të Ndërkombëtare e Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë, forumi më i rëndësishëm i bashkëpunimit dhe koordinimit të Autoriteteve botërore mbikëqyrëse të së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale.

Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, komisioneri për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale Besnik Dervishi u shpreh se “parimi udhëheqës për teknologjinë digjitale dhe përpunimin e të dhënave duhet të jetë respekti për njeriun dhe mjedisin. Sot dhe nesër ne do të flasim, lidhur sesi ky ekosistem i jashtëzakonshëm ka prekur demokracinë dhe opinionin publik. Këtu lind një tjetër mundësi për më tepër konvergjencë, për shkak të shqetësimit për demokracinë dhe atij për përpunimin e përgjegjshëm të të dhënave”.

“Por, mbrojtja e të dhënave lidhet fort edhe me konkurrencën. Sepse, autoritetet e konkurrencës, si dhe ato të mbrojtjes së të dhënave, luajnë një rol kyç në përgjegjshmërinë e aktorëve të fuqishëm për veprimet e tyre. Pra sërish, më shumë konvergjencë, midis ligjit për mbrojtjen e konkurrencës dhe atij për mbrojtjen të dhënave personale”, – u shpreh ai.

Ndër të tjera, Dervishi vuri në dukje se viti 2019 përbën edhe vitin kur mbrojtja e të dhënave ka arritur maturinë.

“Ndodhemi në vitin kur mbrojtja e të dhënave sapo ka arritur maturinë. Në të njëjtën kohë u bënë tridhjetë vjet që kur muret në Europë filluan të bien. Dhe ky moment shënoi fillimin e një konvergjence të jashtëzakonshme rreth demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Nëse kthehemi pas në vitin 1989, vetëm 20 shtete kishin ligje për privatësinë. Tani, ne 2019, janë 136 të tilla”, theksoi ai.

“Rezultati i sa më sipër është rritja e vazhdueshme e komunitetit tonë. Kjo sot është me shumë se e nevojshme, pasi gjithçka tashmë është digjitale. Jetojmë në një botë, ku na thuhet se të dhënat janë zgjidhja e çdo problemi, çka do të thotë se çdo aspekt i jetës dhe marrëdhënieve tona përbën një mundësi për tregun e të dhënave”, -tha komisioneri i mbrojtjes së të dhënave personale. z.tosku./j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNë nëntor nis vaksinimi kundër gripit, falas për grupet e riskut
Artikulli tjetërBERLIN – Gjermania nuk e kundërshton shtyrjen e Brexit