Ballina Aktualitet

PACEP, projekti zviceran mbështetje për parlamentin shqiptar

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ – Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, priti sot Chantal Nicod, në cilësinë e shefes të qeverisjes dhe sektorit të shëndetit në Ambasadën e Zvicrës në Shqipëri. Gjatë takimit Hysi dhe Nicod diskutuan për mbarëvajtjen e punës në kuadër të projektit PACEP si dhe për hapat e ndërmarrë në zbatimin e tij.

Hysi prezantoi hapat e deritanishëm në lidhje me hartimin e Planit strategjik të Kuvendit, konsultimet e zhvilluara, fuqizimin e kërkimit parlamentar dhe vlerësoi rëndësinë e rritjes së kapaciteteve të burimeve njerëzore të Kuvendit dhe asistencën për deputetët për monitorimin e zbatimit të legjislacionit nga këndvështrimi i ndjeshmërisë gjinore. Roli dhe funksionimi efektiv i Aleancës së Grave Deputete në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grave, në rritjen e pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje ishte gjithashtu një çështje me interes që u diskutua në takim.

Konstituimi i Rrjetit për zbatimin e Strategjisë së Edukimit Ligjor të Publikut, i kryer një ditë më parë në Kuvend, u vlerësua si një mundësi e mirë për të rritur informimin e qytetarëve për ligjin dhe gëzimin e të drejtave të tyre, çështje që është në vëmendje edhe të projektit PACEP, që po zbatohet me mbështetjen e qeverisë zvicerane.

Hysi dhe Nicod shprehën angazhimin reciprok për të forcuar bashkëpunimin në kuadër të projektit PACEP, si edhe në aspekte të tjera. /a.sh/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTre përfundime thelbësore të Venecias, konfirmojnë drejtësinë e qëndrimit tonë para, gjatë e pas zgjedhjeve të 30 qershorit
Artikulli tjetërSHBA – Pentagoni: Turqit jo të gatshëm për ndërprerjen e operacionit në Siri