Lleshaj: Shkodrës do t’i kthehet qetësia e qëndrueshme dhe e merituar

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ – U përuruan sot ambientet e rikonstruktuara të ZSHQ në Komisariatin e Malësisë së Madhe, një projekt i financuar nga kontributet vullnetare të investitorëve vendas.

Ministri Lleshaj me këtë rast falënderoi kontribuuesit dhe këtë gjest e konsideroi si një mesazh shumë të rëndësishëm të angazhimit qytetar.

“Kam ardhur me shumë kënaqësi dhe me shumë respekt këtu, për arsye se, së pari, ju keni kontribuar për të bërë një investim të rëndësishëm që na keni lehtësuar një barrë të madhe ne si Ministri dhe si qeveri. Në radhë të dytë, por ndoshta më e rëndësishmja është se keni dhënë një mesazh shumë të rëndësishëm të angazhimit qytetar, sepse ne na duhet ta ndërtojmë vetë jetën tonë”, – u shpreh ministri.

Duke mbajtur fjalën e rastit, Lleshaj u shpreh se: “është e rëndësishme që ne ta kuptojmë që policia është një instrument në shërbim të qytetarëve. Dhe ne, të gjithë si qytetarë, në çdo pozicion që të jemi, duhet ta japim këtë mesazh. Dhe ju sot keni dhënë një mesazh të madh, një mesazh të cilin duhet ta lexojë çdo shqiptar. Për të thënë që Policia është një instrument, që është në shërbim të qytetarëve, e jo një strukturë që sundon qytetarët dhe vetëm kur ta kemi këtë bindje atëherë qytetarët do të kenë një marrëdhënie të re me policinë”.

Sipas ministrit, policia e shtetit është ndër institucionet më të besuar në vend dhe me shërbimin e saj të përditshëm, ajo e provon këtë gjë, megjithatë, “kjo nuk do të thotë se kemi arritur gjithçka. Ka absolutisht shumë punë për të bërë, dhe ky është mesazhi i duhur, ky investim, ky bashkëpunim i qytetarëve të Malësisë së Madhe, i investitorëve të saj me policinë është treguesi më i madh i asaj që ne mund të bëjmë dhe që duhet të bëjmë”.

Ministri e përfundoi fjalën e tij duke thënë se, “nëse ne duam ta ndërtojmë dhe përmirësojmë jetën tonë, ne duhet të punojmë bashkë dhe besoj që dhe strukturat e policisë do të dinë ta vlerësojnë kontributin tuaj, gjestin tuaj dhe atë që ju keni investuar në këtë Komisariat ta kthejnë si shërbim ndaj qytetarëve të Malësisë së Madhe”.

Në deklaratën e tij, Lleshaj u fokusua te çelja e zyrës së re të Shërbimit ndaj qytetarëve.

“Ne duhet të kemi një raport tjetër, një marrëdhënie tjetër me policinë tonë, në mënyrë që edhe ajo të këtë një marrëdhënie tjetër, edhe më të mirë, me qytetarët. Dhe me këtë rast dua t’i falënderoj të gjithë ata që e bënë të mundur këtë, nga kryetari i bashkisë, drejtuesit e policisë, por kryesisht dhe veçanërisht bizneset e vendit, pra të Malësisë së Madhe të cilët janë angazhuar në këtë aksion shumë të rëndësishëm”- u shpreh ministri Brendshëm.

“Shumë shpejt, brenda këtij viti besoj do të kemi mundësi të shohim diçka shumë herë më të madhe sesa kjo që shohim sot, në DVP Shkodër pra. Një investim shumë i rëndësishëm i qeverisë është pothuajse në fazën e finalizimit në DVP Shkodër”, – theksoi Lleshaj.

Duke folur për rendin dhe sigurinë në qarkun e Shkodrës Lleshaj tha se ky qytet për fat të keq ka një trashëgimi jo të mirë, por tashmë ka arritur të ketë një stabilitet. Sipas tij, Shkodrës do t’i kthehet qetësia e qëndrueshme dhe e merituar.

“Sigurisht që, personalisht me Shkodrën kam një raport të veçantë për shumë e shumë arsye, por jo thjesht për këto arsye, por për shkak të detyrës që kam e kam ndjekur me shumë vëmendje zhvillimin e situatës së sigurisë në qytetin e Shkodrës”, – tha Lleshaj.

“Shkodra ka trashëgimi, për fat të keq, jo të mirë në këtë fushë, në dekadat që kanë kaluar. Ne jemi përpjekur për t’u fokusuar shumë në Shkodër, edhe në qytetet e tjera, por në Shkodër sidomos, di që është bërë një punë serioze dhe në ndryshimet e fundit që janë bërë, ka një theks të shtuar, e cila reflektohet edhe në gjendjen e sigurisë në qytet”, – vijoi Ministri i Brendshëm.

“Nuk dua të them që ne kemi arritur atje ku duam, sepse ajo që duam është diçka krejt e thjeshtë: Shkodra duhet të jetë absolutisht në krye të Shqipërisë në këtë fushë. Duhet të rrezatojë, sepse është krejt e pafalshme që Shkodra të jetë një vend me probleme sigurie. Shkodra është një vend që i ka dhënë Shqipërisë kulturën e saj, historinë e saj dhe nuk shkojnë bashkë kultura e madhe që ka Shkodra, me problemet e sigurisë”, – bëri të ditur ai.

“Dhe ne nuk mund dhe nuk do ta lejojmë që Shkodra, ky vend i kulturës, ky vend i vlerave të mëdha të historisë kombëtare të Shqipërisë, të merret peng nga 2-3, 5 apo 15 njerëz që u ka ‘ikur mendja’. Këtë nuk mund ta lejojmë, sot apo nesër, kjo gjë do të realizohet: Shkodrës do t’i kthehet qetësia e qëndrueshme dhe e merituar”, – përfundoi Lleshaj. /a.f/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.