Ballina Flash

Ruçi përshëndet 75-vjetorin e çlirimit të Sarandës

TIRANË, 9 tetor/ATSH/ Kryetari i Kuvendit, me anë të një letre përshëndeti banorët e Sarandës dhe ish-partizanët e brigadave 12, 14 dhe 19 Sulmuese me rastin e 75-vjetorit të çlirimit të qytetit.

Ruçi ndër të tjera shprehet se Saranda është model i bashkëjetesës etnike e fetare.

Mesazhi i plotë i Kryetarit të Kuvendit:

“Unë kam një arsye më shumë të gëzoj, të festoj dhe t’ju përshëndes në këtë 75-vjetor. Për dy legjislatura rresht, ju, qytetarët e Sarandës më keni nderuar duke më zgjedhur përfaqësuesin tuaj në Kuvendin e Shqipërisë.

Saranda ka qenë dhe do të jetë, në të gjitha kohërat, shtëpia e përbashkët e të gjithë banorëve të saj, pavarësisht dallimeve politike, ekonomike, etnike, fetare a krahinore.

Bashkëjetesa etnike e fetare rrezatohet më mirë e më bindshëm këtu në Sarandë.

Atë vlerë me të cilët ne, shqiptarët, mburremi para botës, e kini mbrujtur, ju sarandjotët, shqiptarë e grekë, myslimanë e bektashinj, ortodoksë e katolikë, lebër, çamë, vllehë, bregdetas e vurkarë.

Sot është dita që të gjithë bashkë tu shprehim nderimin tonë të thellë luftëtarëve të brigadave 12, 14 dhe 19 të Ushtrisë partizane, të cilët më 9 tetor të vitit 1944 çliruan Sarandën nga pushtuesit gjermanë.

Sot është dita të përkulemi para kujtimit të 11 dëshmorëve të Atdheut, që ranë heroikisht në betejën për çlirimin e Sarandës.

Të kujtojmë me nderim luftëtarët e kompanisë parashutiste të Forcave Mbretërore Britanike, të cilët luftuan për çlirimin e Sarandës, krahas partizanëve shqiptarë, të përkulemi para kujtimit të 6 ushtarëve britanikë që dhanë jetën për çlirimin e qytetit dhe të cilëve Saranda dhe gjithë Shqipëria u janë përjetë mirënjohës.

Çlirimi i Sarandës dhe një ditë më vonë edhe i Delvinës, janë meritë e Brigadave të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, aleate e denjë e Ushtrisë së Kuqe, Marinës dhe Flotës Amerikane, Marinës e Ushtrisë Britanike.

Ky koalicion i madh antifashist, nuk ishte një protokoll sallonesh, por një bashkim forcash dhe energjish të popujve kundër fashizmit, rrezikut më të madh të kohës.

Për çlirimin e Sarandës luftuan krah për krah partizanët shqiptarë e minoritarë grekë, italianë, anglezë e asirianë. Beteja për çlirimin e Sarandës është një simbolikë e fuqishme e frymës internacionaliste, e cila frymëzoi antifashistët nga katër anët e Globit.

Në këtë koalicion të fuqishëm, i ka rrënjët aleanca e natyrshme e sotme e Shqipërisë me Shtetet e bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe gjithë botën e qytetëruar e demokratike.

Vlerat e antifashizmit, progresit dhe të lirisë përbëjnë rrënjët e Shqipërisë së sotme demokratike”, thuhet në mesazhin e Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, me rastin e 75-vjetorit të çlirimit të Sarandës.

z.tosku/r.e/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFoto/ Kamera dixhitale për monitorimin e qytetit të Krumës
Artikulli tjetërPresidenca e radhës e OSBE-së/ Sekretari i Përgjithshëm Montella pret delegacionin shqiptar