Ballina Flash

Votat në Kosovë nuk do të rinumërohen

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP) me kryesuese Gyltene Sylejmanin hodhi poshtë këtë të martë, datë 08.10.2019 kërkesat e subjekteve politike: Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Koalicioni NISMA-AKR-PD për rinumërim të fletëve të votimit në të gjithë vendin, kjo sipas tyre për shkak të gabimit teknik në Formularin e Përputhjes së të Dhënave dhe Rezultateve dhe ndikimit tek rezultati i publikuar i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për Kuvendin e Kosovës të datës 6 tetor 2019.

PZAP vendosi t’i hedhë poshtë si të palejuara kërkesat e këtyre subjekteve zgjedhore për rinumërimin e të gjitha fletëve të votimit. Kundër këtij vendimi nuk mund të apelohet.

PZAP është organ i përhershëm, i pavarur dhe kompetent për të vendosur në lidhje me ankesat dhe apelet e lejuara që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor, siç është caktuar me Ligjin e Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës dhe Rregullave Zgjedhore.

Pak më herët Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë shpalli edhe rezultatin e përfundimit të numërimit të votive të rregullta, sipas të cilit:
Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 202.968, vota apo 25,48%. Lidhja Demokratike e Kosovës ka 197.702 vota, apo 24,82%, Partia Demokratike e Kosovës ka 169.211, apo 21.24%.
Koalicioni AAK-PSD ka marrë 92.149 vota apo 11,57%; Lista Serbe ka marrë 6.61 për qind ose 52.620 vota.
Koalicioni Nisma-AKR-PD mbetet nën pragun zgjedhor, pasi ka marrë 39.495 vota apo 4.96%.
Rezultatet nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja të veçanta, të cilat pritet në numërohen gjatë ditëve të ardhshme.
Nga numërimi i 100% të votave, 40.732 fletëvotime janë shpallur të pavlefshme nga ana e KQZ-së. /r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHaradinaj: AAK nuk kërkon rinumërim, e padrejtë që të dëmtohet një ditë si ajo e 6 tetorit
Artikulli tjetërITALI – Ulja e numrit të deputetëve bëhet ligj