Bashkëqeverisja, shkolla në Gojan të Vogël qëndron e hapur për nxënësit me aftësi ndryshe


TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Dede Lleshi” në Gojan të vogël të Pukës u mbyll si pasojë e numrit të vogël të nxënësve.

Për nxënësin e kësaj shkolle, Pashk Palucin ky ishte një lajm shumë i keq pasi nuk mund të përshkonte dot distancat e gjata deri tek Shkolla e Mesme e Bashkuar, Gjegjan, për shkak të aftësive ndryshe.

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot këtë rast, për të cilin u vendos që pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes, shkolla 9-vjeçare të qëndrojë e hapur vetëm për nxënësit me aftësi ndryshe.

“Mirëmëngjes dhe me rastin e gjyshe Mares nga Gjegjani i Pukës që i’u drejtua platformës shqiperiaqeduam.al dhe i rihapi dyert e dijes për nipin e saj, ju uroj një fundjavë të bukur”, tha Rama.

Pas vendimit të Drejtorisë Arsimore Pukë, gjyshja e Pashk Palucit vendosi t’i drejtohej platformës së bashkëqeverisjes.

“Unë që po ju shkruaj jam Mare Marku, jam 75 vjeç. Jetoj prej 3 vitesh me nipin tim, Pashk Paluci, cili është me aftësi të kufizuara. Nipi im ka mbaruar klasën e 7-të dhe të 8-të me mësues ndihmës në shkollën e fshatit dhe ka pasur përmirësime në zhvillimin e tij, ndërsa këtë vit shkollor drejtoria e shkollës Gjegjan ka mbyllur shkollën “Gojan i vogël”, duke e lënë fëmijën pa mbaruar shkollën 9-vjeçare . Nga problemet shëndetësore që ka nipi im nuk ka asnjë mundësi të shkojë në shkollë”, shkruan ajo.

Nikolin Prenga, drejtori i Zyrës Arsimore Pukë u shpreh se “numri i nxënësve në këtë shkollë kishte rënë në mënyrë drastike, ndaj dhe u vendos që fëmijët të spostohen te Shkolla e Mesme e Bashkuar Gjegjan.

Pas ankesës në bashkëqeverisje, Pashkut iu mundësua që edhe pse ishte një nxënës i vetëm ai të plotësojë të gjithë programin mësimor si gjithë fëmijët e tjerë./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.