Platforma e bashkëqeverisjes, mbi 99% e ankesave kanë marrë përgjigje brenda afatit

TIRANË, 2 tetor/ATSH/- Mbi 99% e ankesave në platformën e bashkëqeverisjes kanë marrë përgjigje brenda afatit, e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me biznesin dhe pa humbur kohë se me biznesin besimi është A dhe Zh e marrëdhënies.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në prezantimin e koordinatorëve të bashkëqeverisjes për biznesin.

“Çdo shkresë që biznesi adreson në institucionet përkatëse duhet të skanohet në protokoll dhe menjëherë të hidhet në platformën e bashkëqeverisjes duke u dixhitalizuar dhe duke hyrë hyrë në një proces transparent e që pamundëson administratën poshtë ta marrë shkresën ta fusë në sirtar dhe të fillojë lojën skandaloze me kohën dhe të ngrejë atë pritën që jep mesazhin se duhet të kalosh nga unë që ta bisedojmë atë punë dhe pastaj të shohim si do shkojë ajo punë”.

Kreu i qeverisë tha se “skanimi është detyra juaj e parë, çdo mëngjes do e filloni punën tek protokollo dhe çdo pasdite duhet të kaloni nga protokolli per te garantuar se nuk ka asgjë që ka mbetur në letër dhe nuk ka kaluar në ekranin dixhital dhe nuk mbetet peng i monopolit të kohës. Monopolin e kohës e merr sot një zyrtaruc e mban peng dhe ministri nuk merr vesh gjë fare se ka ardhur letra”.

Sipas tij, deri dje ishte legjendë që biznesi paguante për të nxjerrë letrën nga bodrumi ku është protokolli për ta për ta çuar në katin e parë, për katin e dytë dhe paradhomën e ministrit.

“Sot nuk është kështu se i kemi kushtuar shumë vëmendje se sot është koha që vonesat të eliminohen dhe ky instrument dhe eksperienca e fituar nga puna me qytetarët na jep mundësi që ta bëjmë këtë kapërcim të madh. 10 ditë është shumë për biznesin, por kalimi i 10 ditëshit është përgjegjësi e secilit të koordinatorëve. Nëse verifikohet se 10 ka kaluar dhe koordinatori nuk ka raportuar më parë këtë gjë është direkt përgjegjësi individiuale”, – theksoi Rama.

Rama bëri të ditur se gjithë rrjeti do të monitorohet si rrjet i dedikuar për qytetarët nga Kryeministria, grupi i koordinatorëve të dedikuar për biznesin dhe patjetër në nivelin e kujdesit të drejtpërdrejtë të mbikëqyrjes është ministri i Shtetit, për Mbrojtjen e Sipërmarrjes që është përgjegjësi kryesor për gjithë procesin”./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.